Politike
Protestat/ Rama flet për stuhi perfekte, sulmon: Një turmë dështakësh të zemëruar
Mbi 100 ditë protesta kundër qeverisë dhe kërkesa e vazhdueshme për dorëheqjen e Edi Ramës. Por kryeministri e sheh këtë përplasje përmes një tjetër këndvështrimi.
Sipas Ramës, Shqipëria ka hyrë në një fazë të re, ku qytetarët nuk mjaftohen më me investime të vogla apo premtime minimale. Pritshmëritë, sipas tij, janë rritur dhe standardi me të cilin krahasohen shqiptarët është tashmë shumë më i lartë.
Duke iu referuar së kaluarës, Rama solli si shembull mënyrën se si, sipas tij, dikur siguroheshin votat.
“Ka qenë një kohë në Shqipëri ku fitoheshin vota me çakull”, tha kryeministri, duke argumentuar se ajo kohë tashmë ka përfunduar.
Sot, sipas tij, qytetarët kërkojnë më shumë dhe nuk mjaftohen me atë që kanë. Rama e përmblodhi këtë ndryshim me shprehjen: “Ka dhe më mirë, pikë, mbaroj”.
Kryeministri e lidhi këtë fenomen me atë që e quajti “revolucioni i pritshmërive të larta”, ndërsa protestat e muajve të fundit i përshkroi si pjesë të një “stuhie perfekte”, ku janë bashkuar disa faktorë.
Por përtej pakënaqësisë qytetare, Rama foli edhe për ndikimin e teknologjisë dhe rrjeteve sociale.
Sipas tij, algoritmet janë përdorur për të shumëfishuar tensionin në vend. Kryeministri pretendoi se në hapësirën digjitale janë krijuar “mijëra ushtarë” me emra dhe fytyra shqiptare, të cilët kanë nxitur sulme dhe kanë ndikuar në klimën politike.
Këto janë pretendime të kryeministrit, i cili më herët ka folur edhe për ndikime të mundshme nga jashtë, duke përmendur vende që i konsideron jo mike të Shqipërisë.
Në të njëjtën kohë, Rama ka kritikuar edhe disa prej personave që shfaqen si figura drejtuese të protestave apo që kanë ndikim në rrjetet sociale.
Pavarësisht këtyre deklaratave, protestat vijojnë prej më shumë se 100 ditësh dhe kërkesa e protestuesve mbetet e njëjtë: “Rama, jep dorëheqjen!”
Kryeministri, nga ana tjetër, nuk ka dhënë asnjë sinjal për tërheqje. Ai këmbëngul se përplasja lidhet edhe me një shoqëri ku pritshmëritë janë rritur dhe ku qytetarët kërkojnë standarde gjithnjë e më të larta.
Tashmë pritet një tjetër tubim. Për të shtunën është paralajmëruar një protestë mbarëkombëtare, ku pritet të përfshihet edhe Diaspora.
Në njërën anë, protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit. Në anën tjetër, Rama flet për “revolucionin e pritshmërive të larta”, ndikimin e algoritmeve dhe ndërhyrjet e mundshme nga jashtë.
Përplasja politike tashmë nuk zhvillohet vetëm në sheshet e Tiranës. Ajo është zhvendosur edhe në rrjetet sociale, ku beteja për opinionin publik po merr një tjetër dimension.