Connect with us

Bota

Greqia kërkon ndihmën e Turqisë për migrantët

Zyrtarët grekë kanë nisur një sërë kontaktesh të nivelit të lartë me qeverinë e re në Turqi, në përpjekje për t’iu kundërvënë rritjes së kalimeve të migrantëve nëpër lumin që ndan dy shtetet.

Ministri grek i Mbrojtjes, Alkiviades Stephanis, të mërkurën zhvilloi një bisedë telefonike me homologun e tij turk, Yasar Guler, thanë zyrtarët në Athinë. Kjo bisedë u zhvillua një ditë pasi kryediplomatët e të dyja shteteve po ashtu zhvilluan bisedime.

Guler dhe anëtarë të tjerë të Qeverisë së re turke u emëruan pas rizgjedhjes së presidentit Recep Tayyip Erdogan.

Patrullimet përgjatë lumit Evros në anën greke të kufirit janë intensifikuar, pasi së fundmi ka rënë niveli i ujit, gjë që mundëson kalimin më të lumit nga migrantët.

Të dyja shtetet anëtare të NATO-s kanë një sërë mospajtimesh të kamotshme, përfshirë edhe mosmarrëveshjet për kufijtë detarë në lindje të Mesdheut dhe për përpjekjet për të ulur migrimin ilegal për në Bashkimin Evropian.

Në të kaluarën, Greqia kishte akuzuar Turqinë për “instrumentalizimin” e migrimit, për të përfituar koncesione nga BE-ja, por zyrtarët në të dyja kryeqytetet muajve të fundit kanë pasur tone më pajtuese.

Haralambos Lalousis, ministri grek për Rend, tha se ai nuk beson se Turqia qëndron prapa rritjes së fundit të kalimit ilegal të migrantëve.

“Jo, nuk mendoj se është Turqia”, tha Lalousis të martën, para se të niste vizitën në zonat kufitare.

Lalousis, që ka qenë komandant i ushtrisë greke dhe komandant i forcave të vendosura në rajonin kufitar, tha se ushtria po ndihmon policinë në patrullimin përgjatë kufirit./ REL

Advertisement