Connect with us

Politike

“Mëso nga lumi, ndryshon rrjedhën…”/ Spiropali me sinjal të ri politik

Në prag të shqyrtimit në Asamblenë e Partisë Socialiste të mocionit të saj për “Marrëveshjen e Re për Shqipërinë”, Elisa Spiropali ka publikuar një mesazh në rrjetet sociale që po interpretohet si një sinjal politik.

Deputetja socialiste ka postuar fotografinë e një lumi, të shoqëruar me frazën: “Mëso nga lumi; pengesat mund ta detyrojnë të ndryshojë rrjedhën, por kurrë destinacionin.”

Postimi vjen vetëm pak javë pasi Spiropali paraqiti në Asamblenë e PS-së mocionin e saj, përmes të cilit kërkon hapjen e një dialogu të gjerë kombëtar. Sipas saj, protestat dhe pakënaqësitë qytetare nuk duhet të injorohen, por të shërbejnë si një mundësi për reflektim dhe reformim të qeverisjes.

Në dokumentin e propozuar, Spiropali argumenton se Shqipëria ka nevojë për më shumë përfaqësim, demokraci të brendshme, meritokraci dhe institucione më të forta, ndërsa thekson se Partia Socialiste duhet të nisë ndryshimin duke reformuar fillimisht vetveten.

Pas largimit nga posti i ministres së Jashtme, Spiropali është shfaqur si një nga zërat kritikë brenda shumicës socialiste. Në muajin prill ajo u kritikua publikisht nga kryeministri Edi Rama për mungesën në seancën parlamentare ku u votua kërkesa e SPAK për arrestimin e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, si edhe për qëndrimet kritike të shprehura në rrjetet sociale.

Në atë kohë, Rama e paralajmëroi me fjalët: “Herën e parë nuk votove, herën e dytë bëre çarçaf, herën e tretë del nga Grupi.”

Spiropali iu përgjigj më pas kritikave duke deklaruar: “Nuk është trimëri të përjashtosh, trimëri është të dëgjosh. Më përjashton ti, jo ajo.”

Postimi i fundit vjen në një moment kur pritet vendimmarrja e Asamblesë Socialiste për mocionin e saj, ndërsa mesazhi për “rrjedhën” dhe “destinacionin” po lexohet si një tjetër sinjal se ajo nuk ka ndërmend të tërhiqet nga qëndrimet e saj.

Advertisement