Aktualitet
Reforma territoriale/ Haxhimali sulmon kryebashkiakët: Heshtën para Ramës…
Eksperti i pushtetit vendor, Agron Haxhimali, ka kritikuar qëndrimin e kryetarëve të bashkive pas propozimit për Reformën Administrative-Territoriale, duke i akuzuar se nuk kanë reaguar për të mbrojtur interesat e komuniteteve që përfaqësojnë.
Në një intervistë, Haxhimali u shpreh se drejtuesit vendorë duhet të kishin kërkuar transparencë dhe sqarime për të ardhmen e bashkive të tyre, në vend që të heshtnin përballë qeverisë.
“Ku ka vend në botë që kryeministri t’i trajtojë kryetarët e bashkive si vasalë të tij? I merr në mbledhje dhe ata vetëm duartrokasin”, deklaroi ai.
Sipas ekspertit, kryebashkiakët kanë përgjegjësi të drejtpërdrejtë ndaj qytetarëve dhe duhej të kërkonin publikisht informacion mbi kriteret dhe arsyet e ndryshimeve të propozuara në hartën administrative.
“Ata përfaqësojnë komunitetet dhe duhej të ishin shprehur. Duhej të pyetnin: cili është projeksioni, cilat bashki do të preken dhe si do të ndikojë kjo te qytetarët”, tha Haxhimali.
Ai kundërshtoi gjithashtu pretendimet se drejtuesit vendorë nuk ishin në dijeni për idenë e reduktimit të numrit të bashkive, duke deklaruar se kjo çështje ishte diskutuar më herët nga kryeministri Edi Rama.
“E kanë ditur. Rama ua ka thënë disa herë se kemi nevojë për më pak bashki. Jam i zhgënjyer nga kryetarët”, përfundoi eksperti i pushtetit vendor./ tema