Connect with us

Bota

SHBA shpresa e fundit e Infantino, presidenti i FIFA-s i lutet për ndihmë Trump

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, pritet të zhvillojë një bisedë private me Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, në një përpjekje për të siguruar mbështetjen e administratës së presidentit Donald Trump për qëndrimin e tij në krye të organizatës, raporton New York Post.

Sipas burimeve të medias amerikane, zyrtarisht biseda do të fokusohet te roli i futbollit si instrument i “fuqisë së butë” të SHBA-së, por qëllimi real lidhet me mbështetjen politike për një mandat të ri të Infantinos.

Raporti vjen në një moment të vështirë për kreun e FIFA-s, pas tërheqjes së projektit për krijimin e një strukture të re komerciale që do të hapte rrugën për investime private në asetet e organizatës. Plani hasi në kundërshtimin e konfederatave dhe federatave kombëtare.

Gjatë fundjavës, CONCACAF dhe UEFA kërkuan më shumë llogaridhënie për mënyrën se si po drejtohet futbolli botëror, ndërsa Shoqata e Futbollit të Uellsit tërhoqi mbështetjen për një mandat të ri të Infantinos. Sipas raportimeve, edhe Federata Angleze e Futbollit pritet të mbajë të njëjtin qëndrim, duke shtuar presionin ndaj presidentit aktual të FIFA-s.

Advertisement