Rajon
Bëni diçka në këmbim/ Vuçiç për zgjedhjet në Veri
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç i bëri thirrje Kosovës që të organizojë zgjedhje të reja për kryetarë të komunave në veri të vendit, por perpara zhvillimit te tyre, të arrihet autonomi më e madhe për serbët etnikë, që përbëjnë shumicën lokale dhe të cilët bojkotuan votimet paraprake.
“Të gjithë serbët në veri e mendojnë Serbinë si vendin e tyre, jo Kosovën. Ky është realiteti”, tha Vuçic në një intervistë për Reuters-in
Ai tha se “dikush duhet ta marrë situatën nën kontroll dhe të organizojë zgjedhjet (e reja) atje”.
Megjithatë, Vuçiç tha se autoritetet në Kosovë do të duhet të bëjnë disa lëshime për të siguruar pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet e reja.
“Ende nuk kemi një asociacion të komunave serbe, ende nuk ka tërheqje të forcave speciale të policisë (shqiptarëve të Kosovës) dhe kryetarëve të komunave”, tha Vuçiç.
Marrëveshja, mbi 10 vjet e vjetër, e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, parashikonte që serbët në veri të themelonin Asociacionin e komunave vetëqeverisëse, në këmbim të njohjes së institucioneve të Kosovës, por marrëveshja nuk u zbatua kurrë, kujton Reuters.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se zona me shumicë serbe, në rast se do t’i jepej autonomi më e madhe në kuadër të Asociacionit të komunave, do të mund të organizojë referendum për bashkimin me Serbinë.