Connect with us

Politike

Drejtësia pa paga/ Balla nuk përmbahet: Opozitës i djeg barku për gjyqtarët

Pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi se projektligji për pagat e magjistratëve do të shqyrtohet në Kuvend më 17 shtator.

Balla tha se projektligji është depozituar para datës 31 korrik nga dy deputetë të Partisë Socialiste, ndërsa akuzoi opozitën se po përpiqet ta përdorë politikisht çështjen e pagave të magjistratëve.

“Para 31 korrikut, dy deputetë të Partisë Socialiste kanë depozituar një projektligj për pagat e magjistratëve. Ka pasur përpjekje për ta përdorur politikisht nga opozita edhe këtë rast, por në Kuvend ka 140 deputetë, por vetëm dy deputetë socialistë depozituan për ligjin që adreson çështjen. Kështu e lexuam ne vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, deklaroi Balla.

Sipas tij, çështja tashmë është përfshirë në kalendarin e punimeve të Kuvendit dhe do të shqyrtohet në seancë më 17 shtator.

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së ironizoi gjithashtu opozitën për qëndrimin e saj ndaj pagave të magjistratëve, duke thënë se sot deputetët opozitarë shqetësohen për pagat e gjyqtarëve, ndërsa në raste të tjera, sipas tij, kanë sulmuar vetë magjistratët.

“U djeg barku për gjyqtarët, por kur u prishen interesat magjistratët shahen me libër shtëpie”, u shpreh Balla.

Në përfundim, ai theksoi se, sipas tij, në një shtet demokratik ku zbatohet ndarja e pushteteve, kompetenca për përcaktimin e pagave i takon Kuvendit.

“Si qytetar mendoj që në një shtet demokratik me ndarje pushtetesh, kompetenca për caktimin e pagave është vetëm e Kuvendit”, deklaroi Taulant Balla.

Advertisement