Kronike
EMRAT/ Tre makina me emigrantë të paligjshëm, arrestohen shoferët
Vijojnë operacionet për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë, kundrejt pagesës, për kalim të paligjshëm të kufirit. Si rezultat i këtij operacioni, në aksin rrugor Gjirokastër-Sarandë, në vendin e quajtur “Ish-miniera e Kripës”, Finiq, u arrestuan shtetasit Eduart Kërçiku, Elion Bakalli, Bernard Karaje, shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tyre shtetasi Leonard Celiku, i cili lëvizte me automjetin e tij, para 3 automjeteve me emigrantët, për të monitoruar rrugën, për prezencën e shërbimeve të Policisë.
Ata bashkëpunonin me njëri-tjetrin, për të kryer transportimin kundrejt pagesave, të 13 emigrantëve, me qëllim kalimin e kufirit në mënyrë të kundërligjshme.
Eduart Kërçiku, Elion Bakalli, Bernard Karaje drejtonin përkatësisht automjetet tip “BMW”, “Volksawagen” dhe “Skoda”, me të cilët transportoheshin emigrantët, ndërsa shtetasi Leonard Celiku (i shpallur në kërkim pas identifikimit nga shërbimet e Policisë) lëvizte me automjetin e tij, me qëllim monitorimin e rrugës, për të shmangur shërbimet e Policisë.
4 automjetet e përdorura nga këta shtetas për këtë veprimtari kriminale, si dhe celularët e tyre, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim.