Aktualitet
Gërvalla: S’ka patur entuziazëm për njohje të reja në këto dy vjet
Ministrja e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla ka komentuar deklaratat e emisarit amerikan per Ballkanin Perendimor, Gabriel Escobar në lidhje me mos entuziazmin e amerikanëve për t’i sjellë njohje të reja ndërkombëtare Kosovës.
Ajo ka thënë se edhe ashtu, entuziazmi i shteteve për të njohur Kosovën ka rënë duke përmendur edhe specifikat pse po ndodh diçka e tillë.
“Në dy vitet e qeverisjes sonë nuk është se kam parë entuziazëm nga partnerët për të sjellë njohje të reja. Jemi përpjekur me të gjitha mënyrat dhe do të vazhdojmë me partnerët të gjejmë rrugët për të sjellë njohje të tjera”.
Shefja e diplomacisë ka thënë se qytetarët nuk duhet të presin njohje pos pesë vendeve të Bashkimit Evropian.
“Mirëpo pos pesë shteteve të BE-së nuk është se mund të pritet me entuziazëm ndonjë njohje e re, pasi ato shtete që nuk kanë pasur pengesa e kanë njohur Kosovën gjatë 15 viteve të kaluara. Nuk është habi që ky entuziazëm të mos ekzistojë edhe gjatë këtyre diskutimeve kohëve të fundit”.
Shefja e diplomacisë megjithatë thotë se punë primare e dikasterit që ajo drejton është sigurimi i njohjeve të reja. Ajo madje tregoi se sot ka pasur një bisedë në lidhje me këtë drejtim, pa dhënë detaje për shtetin që kanë kontaktuar.