Politike
Përplasja në kampin MEK/ Berisha ngre pyetjen: Si u vra ai që vdiq?
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka kërkuar hetim ndërkombëtarë për operacionin policor ditën e djeshme në Manzë. Gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar, Berisha u shpreh se të gjithë autorët e dhunës kundër muxhahedinëve duhet që të dalin para drejtësisë.
“Të gjitha këto kërkojnë një hetim. Një hetim ndërkombëtar, në mënyrë të veçantë një hetim nga OKB që i ka në mbikëqyrje. Gjithashtu, autorët e dhunës duhet të dalin përpara gjyqit. Si u vra ai që vdiq? Ata që kanë thyer kocka të refugjatëve, duhet të përballen me ligjin. Se thanë spraj, por spraji nuk thyen kocka. Është e domosdoshme një hetim që të nxjerrë abuzuesit me të drejtat e njeriut. Në njoftimin e DASH ka një element të rëndësishëm që vetë këta shkelin të drejtat e njeriut. Kjo është absolutisht e rëndë. Edhe kjo duhet të jetë pjesë e hetimit të OKB-së. Nuk mund të përdoret kampi i strehimit për të dhunuar të drejtat e njerëzve të komunitetit. Se ai nuk është kamp ushtarak, është kamp refugjatësh. Por kjo është qeveri si kjo. Ai duhet të jetë një kamp që respekton liritë dhe të drejtat e banorëve të kampit. Pra, këto janë problemi i një ngjarje që tronditi shoqërinë. Se janë njerëz që kanë një histori të gjatë, të dhimbshme. Kanë edhe gabime në qëndrimet e tyre, por prapë kanë qëndruar për lirinë e vendit të tyre më së shumti dhe janë këtu si miq, refugjatë. Unë nuk kam qenë për kamp fare, por që të strehoheshin dhe të integroheshin. Në atë kohë pati ksenofobë, por ata mund të integroheshin në shoqërinë shqiptare. Ky variant u ndryshua nga kjo qeveri,” tha Berisha.