Aktualitet
U dhunua nga fisi Rraja/ Maja: Do bëj vetëgjyqësi, do flasë tërë bota
Jashar Maja dhe djali i tij i xhaxhait, Bilbili, u dhunuan me sende të forta disa ditë më parë nga anëtarë të fisit Rraja. Jashari ka treguar në një intervistë për “Klan News” detaje nga kjo ngjarje e rëndë. Ai shprehet se gjithçka nisi pas denoncimeve të tij për guroren që po shkatërron shtëpitë e zonës. Në intervistën e tij, Jashar Maja bën thirrje që të dënohen autorët e dhunës ndërsa u shpreh se nëse nuk merren masa, ai është i detyruar që të bëjë vetëgjyqësi. Gjithashtu në fjalën e tij denoncoi edhe Policinë e Shtetit duke u shprehur se për ngjarjen nuk janë interesuar fare.
INTERVISTA E PLOTË ME JASHAR MAJËN:
Gazetari: Si u përballët me dhunën nga anëtarët e fisit Rraja?
Jashar Maja: Unë dhe djali i xhaxhait u takuam me inxhinierin e guroreve që ka Përparim Rraja. Po bisedonim për çështjen e minave se si të gjejmë një rrugë që të bëhen minat me një kriter më të butë, me e pa një rrugëzgjidhje. Tha këtë mundësi kam tha, nuk është çështja ime, por e pronarit. Porositëm kafet. Pa na ardhur kafet, kanë ardhur komplet fisi Rraja. Kemi njohur Përparimin, Xhelalin, Red. Nuk i kemi njohur komplet, por ai fis kanë qenë, njerëzit e tyre se nuk ka lënë kush t’i vëzhgojmë. Na kanë goditur me qyta arme, me shkopinj bejsbolli, kjo. Borxh nuk ia kemi. Kjo është bërë për shkak se kemi protestuar për punën e gurores. Kemi bërë denoncime në polici. Nuk na është dhënë asnjë rrugëzgjidhje. Kemi bllokuar rrugën, absolutisht asnjë rrugëzgjidhje. Veç ne na ka shoqëruar policia, ata jo. Shtëpitë i kemi të plasura që duken, verifikohen. Nuk është gjë që po e themi rrugës, është fakt. Shikoni shtëpinë si është shkatërruar. Çdo gjë është bërë për shkak të gurores. Ata kanë mbrojtje nga pushteti se nuk ka mundësi. Kanë shembur 150 shtëpi këtu për rrëzë mali dhe nuk reagon shteti. Nuk e di se ku është shteti. O të ngrihet të reagojë shteti, të dënohen personat që na kanë dhunuar, ose do të kthehet në vetëgjyqësi se nuk ka rrugëdalje. Edhe unë njeri jam.
Gazetari: Pasi ndodhi ngjarja, u lajmërua policia, çfarë ndodhi më pas?
Jashar Maja: Pasi kam ardhur në vetëdije kam tërhequr djalin e xhaxhait, kemi dalë në oborrin e lokalit. Kam marrë policinë në telefon, i kam thënë jam filani, jam në filan vend, na kanë goditur dhe kanë ardhur pas 2 orësh. Ka ardhur një patrullë që ka ndodhur rastësisht. Kemi shkuar në Fushë-Krujë. Aty na kanë vonuar prapë nja një orë. Nuk ishin të zotë të dilte policia në rrugë në Fushë-Krujë për të na çuar në Thumanë.
Gazetari: Kush jua dha ndihmën e parë mjekësore?
Jashar Maja: Ndihmën e parë mjekësore kemi shkuar tek spitali ushtarak.
Gazetari: Prej sa kohësh keni pasur probleme dhe shqetësime prej shpërthimeve të gurores?
Jashar Maja: Ka 4-5 muaj ky muhabet. Kemi bërë ankime, kemi bërë çdo gjë në qeveri dhe polici. Asnjë rrugëzgjidhjeje nuk na është dhënë.
Gazetari: Sa larg është gurorja nga fshati Borizanë që është dhe shtëpia juaj?
Jashar Maja: Me shtëpinë time është rreth 2, 300 metra. Me Borizanën mund të bëhet 1 kilometër. Kaq distancë ka. Janë edhe shtëpitë po në jug. Janë ca gurore që i kanë 50-60 metra shtëpiat. Unë mesa di, mesa kam njohur, që nuk lejohen kaq afër shtëpitë. Këtu nuk ka shtet. Me reagu shteti, këtu kishte reaguar policia. Shteti nuk është interesuar fare, a jam i gjallë, a jam i vdekur.
Gazetari: Çfarë ndodhi kur shkuat në komisariat, para se të shkonit në spital për të marrë ndihmën mjekësore? Ju morën në pyetje, dhatë deklarime?
Jashar Maja: Asnjë lloj pyetje, asnjë lloj deklarimi. Nuk mund të shkruante askush prej atyre. Rrinte policia grup. Shikonin njëri-tjetrin në sy që ça duhet të bëjmë. Erdhi fisi im, njerëzit e mi, i thamë zotëri na pri para me një makinë policie vetëm për të hapur rrugën se i dërgojmë vetë në spital, nuk kemi nevojë për shtet. Se nuk ka shtet. Jo se nuk kemi nevojë për shtet se shtetin e duam, kush është ai që nuk do ligj e shtet, por nuk ka. Na ka ardhur makina e policisë, kemi ecur me shoqërim, kemi shkuar në spital.
Gazetari: Thatë që ju janë dëmtuar shtëpitë, keni pasur dëmtime nga tërmeti apo vetëm nga shpërthimet?
Jashar Maja: Shtëpinë kam fakte se akoma nuk kam kryer punimet 100%. Kam hyrë në shtëpi pas tërmetit. Shtëpitë janë plasaritur komplet. Të hysh brenda janë shumë të dëmtuara. Kam marrë inxhiner privat dhe më ka thënë që është e pabanueshme.
Gazetari: Policia ka arrestuar 4 persona mes anëtarëve të grupit që ishin prezent në momentet e dhunës dhe ka shpallur në kërkim 4 të tjerë. Jeni të kënaqur me veprimet e policisë dhe çfarë kërkoni më tepër?
Jashar Maja: Kërkoj nga shteti që Xhelal Rraja dhe Përparim Rraja nuk janë kapur. Ata duhet të kapen. Janë kapur ata të tjerët, që kanë marrë punëtorët mbrapa, kryesorët nuk janë kapur. Mos t’i kapë, të bëjë çfarë të dojë se shteti e di vetë, por unë do të bëj vetëgjyqësi. Kur nuk ka shtet të më mbrojë, do të mbrohem vetë. Nuk kam ku shkoj. Dal, punoj për familjen time, shkoj në shtëpinë time, ai ka ardhur nga atje dhe më ka shembur shtëpinë këtu. Nuk i kam borxh as Rrahman Rrajës, as Xhelal Rrajës. Jam duke punuar për shtëpinë time, për familjen time. Ai më ka borxh, duhet të më përgjigjet deri në pikë të fundit në rast se unë do jetoj. Në rast se unë do vdes nuk e di. Në rast se unë marr frymë, unë do të bëj vetëgjyqësi dhe atëherë të vijë shteti tek unë. Se ka nxjerrë edhe një video. Ta nxjerrë, janë problemet e veta. Atë video që ka nxjerrë ai për mburrje unë nuk do mburrem fare, por videon që unë do i bëj atij ka për të folur gjithë bota.
Gazetari: Jeni marrë më pas në pyetje nga policia?
Jashar Maja: Nuk më ka pyetur kush se ku jam, ku jetoj. A marr frymë, a s’marr frymë, a jam i gjallë, a s’jam i gjallë. Se ligjërisht duhet të ishte Policia e Shtetit. Mesa di unë. Policia duhet të jetë non stop këtu. As telefonatë, as shefi i zonës, nga asnjë. Se janë të dobët para atyre. Tani më ka ngelur mua me u marrë me ata. Do të merrem. Sigurisht që do të merrem, sapo të ndihem mirë, të rregulloj punët e mia. Edhe të më gjejë shteti mua mbrapa se unë nuk kam shtet. Me pas shtet, të mbron shteti. Ai është me imunitet, do të mbroj veten se nuk kam ku shkoj. Do të mbroj fëmijët e mi.
Gazetari: Sa qëndruat në spital dhe si është gjendja shëndetësore e Bilbilit?
Jashar Maja: Deri mbrëmë ka pasur të vjella dhe marrje mendsh. Është në një klinikë private më të specializuar se spitali shtetëror që ka thënë Edi Rama është falas nuk ka pyetur kush fare. Si me shkuar bagëtitë në spital, jo njerëzit. Kjo është shëndetësia që ka thënë falas. Ne jemi fukarenj, ne jemi fshatarë, po nuk pate lek nuk të shikon kush me sy.
Gazetari: Pas ngjarjes duke qenë se kanë kaluar disa ditë, keni pasur komunikim me fisin Rraja, për të pasur një marrëveshje me ta?
Jashar Maja: Nuk kam marrëveshje me të. Dëmtimi që më ka shkaktuar, moralisht dhe ekonomikisht, do përgjigjet deri në pikë të fundit derisa të jetoj. Me Xhelal Rrajën dhe Përparim Rrajën nuk kam asnjë marrëveshje. Çfarë kam jug, veri, lindje, perëndim në këtë zonë o do rri unë, o ai se nuk ka shtet. Po të kishte shtet ata do ishin brenda. Se aty i kanë pasur dhe i kanë lëshuar. Në këtë zonë vetëm 1 gurore ka qenë vazhdimisht. Këto të tjerat kanë ardhur vitin e fundit. Pas 2013-ës e mbrapa janë shtuar guroret.
Gazetari: Sa banesa ka fshati? Sa janë dëmtuar?
Jashar Maja: Vetëm 20 shtëpi, 30 shtëpi janë të fisit tim. Janë të dëmtuara totalisht prej guroreve. E duruan tërmetin, por gurorja këtu plas vullkan. I plasin jashtë kritereve, me nitrat. Kemi video të nitratit që hidhet me një shpim, 50 kuintal nitrat. Ai kthehet në vullkan.
Gazetari: Punohet gjatë ditës apo dhe natën?
Jashar Maja: Gjatë ditës. Shpimet i bëjnë gjatë natës dhe shpërthimet ditën.
Ngjarja u shënua mesditën e 6 korrikit 2023, ku anëtarët e fisit Rraja dhunuan disa qytetarët të Borizanës për guroret, që i përkisnin familjes së deputetit. Organizatorët janë kujdesur ta filmojnë për t’ia treguar dhe të tjerëve pasojat që mund të ndodhin nëse ankohesh. Mes dhunuesve janë dhe dy vëllezërit e deputetit socialist Rrahman Rraja, konkretisht Flamur dhe Xhelal Rraja, si dhe djali i deputetit, Rexhep Rraja. Shkak është një gurore në fshatin Borizanë, në pronësi të Përparim Rrajës, kushëriri i deputetit, i cili ka leje shfrytëzimi dhe licencë për këtë aktivitet. Kushërinjtë Bilbil e Jashar Maja ishin ankuar më 5 qershor në media se shpërthimet gjatë punimeve në gurore po u shkatërronin banesat e tyre. Ndërsa mesditën e së enjtes ata ishin në lokal me inxhinierin e gurores për ti kërkuar që shpërthimet të ishin më të kontrolluara pasi po u dëmtoheshin banesat, e pikërisht në ato momente i kanë dhunuar./dosja.al