Politike
Kërkesa e SPAK për arrestimin e Ahmetaj/ Gjekmarkaj: Nuk është lajm pozitiv
Deputeti i PD, Agron Gjekmarkaj ka reaguar lidhur me kërkesën e SPAK drejtuar Kuvendit, për arrestimin e ish-zëvendës kryeministrit Arben Ahmetaj
Gjekmarkaj thotë se nuk është një lajmi gëzuar kërkesa për arrestimin e tij, pasi kjo tregon ndër të tjera shkallën e lartë të korrupsionit dhe sa ‘shqetësues e mbytës është ky fenomen mes nesh’.
“Çështja e inceneratorëve ka trazuar politikën, mediat dhe shoqërinë prej një kohe të gjatë. Ajo prej shifrave që përfliten si shpërdorim, prej ish ministrave të përfshirë vë në provë drejtësinë më shumë se çdo gjë tjetër. Kemi parë të vdekur që ngjallen, të gjallë me një këmbe në varr të cilëve u vidhet emri për ta përdorë.
Sot SPAK kërkon liri nga kuvendi për të ndaluar Arben Ahmetajn dhe ky nuk është një lajm i gëzueshëm për vendin. Ai ishte nr 2 i qeverisë dhe ministri i dytë i kërkuar nga drejtësia pas Lefter Kokës dhe ish deputetit Bllako për të njëjtën arsye, çka hipotizon për shkallën e korrupsionit dhe sa shqetësues e mbytës është ky fenomen mes nesh. Nuk ndiej kurrë gëzim kur dikush arrestohet, përkundrazi, por hidhërohem kur të fajshmit përzihen me të pafajshmit, kur hajdutët kalojnë për zotni të randë, kur supozohet se të gjithë janë njësoj.
Shumë politikanë të opozitës e kanë artikuluar këtë afere në diskurin retorik të ditës me pasion si shërbim publik por jo të gjithë me të njëjtin zell e bindje. Madje dhe sot ndonjë tip njësoj me fraza të një gjuhe mushk sa me la gojën duke dëshmu mungesë sinqeriteti ndaj kauzës dhe njerëzve.
Në këtë beteje e cila shpërblen moralisht gjithë atë pjesë që kërkon gjetjen e abuzuesve , kthimin e parasë publike dhe vendosjen e drejtësisë ka spikatur më shumë se kushdo Jorida Tabaku në përpjekjen e saj politike e qytetare në kërkim të se vërtetës e cila nuk zbardhet pa akte si ky i sotmi i organeve ligjzbatuese, ndaj meriton një falenderim. Drama të tilla të parasë publike uroj të ndikojnë si leksion etik, si leksion ndëshkimi e frike për administruesit e saj”, shprehet Gjekmarkaj.