Kosova
Pas zbythjes, Albin Kurti kërkon nga BE t’i heqë sanksionet
Albin Kurti ka thënë se pret që marrëveshja që Qeveria ka arritur me Bashkimin Evropian për hapat për shtensionim të situatës në veri të Kosovës, të ndikojnë që Kosovës t’i hiqen sanksionet e që palët në dialog të jenë të barabarta.
Pasi ka lexuar pikat e marrëveshjes, që parashikojne zvogëlimin e pranisë policore të Kosovës në dhe rreth ndërtesave komunale në veri, vlerësimin e vazhdueshëm të gjendjes së sigurisë, mbështetjen për zgjedhjet e reja e takim të ri në dialog, Kurti ka kujtuar se është Serbia ajo që s’e ka pranuar që ka marrëveshje ligjërisht të obligueshme me Kosovën dhe se BE-ja i ka bërë të pabarabarta palët kur e ka sanksionuar Kosovën.
“Unë kam nënvizuar në vazhdimësi që për suksesin e marrëveshjes bazike së pari të dy palët duhet ta pranojë se marrëveshja është ligjërisht e obligueshme. Së dyti, që marrëveshja duhet të zbatohet në plotni. Së treti, që zbatimi i marrëveshjes nuk mund të kushtëzohet. Së katërti, që të dyja palët duhet të kenë mundësinë që të negociojnë nga pozicione të barabarta, gjë që është cenuar prej vendosjes së masave të përkohshme kundër Kosovës nga ana e bashkimit Evropian” – Ka deklaruar kryeministri Kurti