Connect with us

Politike

Noka: Rezultoj kriminel nga letrat e firmosura nga ambasadori britanik

Deputeti demokrat Flamur Noka, i ftuar sot në rubrikën, ka bërë një deklaratë të fortë ku tha se ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në vendin tonë, Alastair King-Smith, në letrat e firmosura prej tij e cilëson si kriminel. Sipas Nokës, kjo është bërë pasi i është thënë nga ish-kryedemokrati Lulzim Basha. Noka shtoi më tej se ai kurrë në jetën e tij nuk ka patur ndonjë akuzë, por tashmë kjo është bërë me urdhër nga Basha.

“Në letrat e firmosura nga Smith, unë jam kriminel. Unë jam mjek e kurrë në jetën time s’kam pasur ndonjë akuzë, e në letrat që ai dërgon unë jam kriminel. Pse? Sepse ashtu i thotë Lul Basha. E ka theksuar, Lul Basha”, tha ai

Noka ka folur mbi raportin e publikuar sot nga grupi i Berishës, për zgjedhjet e 14 majit. Noka u shpreh se më 14 maj ndodhi një farsë zgjedhore dhe se “vota u konsiderua si mall tregu”.

Ai u shpreh se në raport janë paraqitur faktet e mbledhura prej tyre, teksa deklaron se “hymë në zgjedhje pa komisionerë e pa numërues”. Noka deklaroi se kryeministri Edi Rama po nxjerr sërish në treg “pengun Basha”.

“Vula e PD është në ‘xhepin’ e Ramës, ai na rrëmbeu vulën 3 dite para regjistrimit në zgjedhje”, u shpreh ai.

I pyetur se përse nuk arritën që të mbrojnë votën, sikurse premtuan para zgjedhjeve, ai tha: “Kishim parasysh që në zgjedhje do të përballeshim me PS, jo Prokurorinë, policinë, ushtrinë, SHISH, etj… Të gjitha këto bëjnë një panoramë që në 14 maj nuk kishte zgjedhje. T’i shohin dhe ndërkombëtarët”.

Pjesë nga diskutimi:

A mendoni se shqiptarët kanë nevojë për lider të ri?

“Në një demokraci, rrotacioni i elitave është domosdoshmëri, por në rastin e opozitës është hera e parë që demokratët kanë në status që nëse humbet zgjedhjet lokale lideri i nënshtrohet një votëbesimi. Këtë risi e solli Berisha dhe ne. Ndaj them merruni me thelbin dhe jo me detajet. Duhet analizuar njëherë thelbi. Zgjedhjet nuk u humbën, por u vodhën. 1.3 mln shqiptarë janë larguar nga qendrat e votimit me një firmë të Çuçit”.

Ju thatë se nuk i njihni zgjedhjet, por ndërkohë keni njohur këshillat bashkiak?

“Nuk njohim zgjedhjet, por njerëzit tanë do të jenë aty!”.

Advertisement