Connect with us

Aktualitet

Qytetarët alarmohen nga karkalecat , drejtori i Bashkisë: Do zhduken…

Prej disa javësh tashmë, jo vetëm zona e Myzeqesë por edhe Tirana dhe qytete të tjera janë “pushtuar” nga karkaleci. Lidhur me fenomenin, në një lidhje të drejtëpërdrejtë me emisionin “Sot Live në Shqipëri” në Report TV, Rozafat Sopaj, drejtor i Shërbimeve në Bashkinë e Tiranës, tha se karkaleci nuk është shqetësues.

“Karkaleci nuk është një nga shqetësimet kryesore që ka bashkia e Tiranës pasi insektet janë masive në të gjithë kohën e vitit. Karkaleci ndër ta është ndër më të padëmshmit. Më shqetësim është mushkoja e miza si transmetues të viruseve sesa karkaleci. Është një karkalec migrator që ka përfshirë jo vetëm Tiranën por të gjithë Ballkanin. Nuk është shqetësues, nuk pickon. Nuk është i dëmshëm në masë as për bujqësinë. Nuk kemi çfarë i bëjmë se është migrator. Sepse karkaleci në habitatin e vet e ka në zonat bujqësore, por këtij lloj karkaleci i pëlqen drita. Por nuk është shqetësues, pavarësisht bezdisjes,”- tha Rozafat Sopaj.

Megjithatë ai premtoi në 15 ditëshin e muajit gusht, fenomeni i karkalencave nuk do të ekzistojë më.

“Ju siguroj që brenda muajit gusht, në 15 ditëshin e dytë të muajit gusht nuk do të dëgjoni më të flitet për karkaleca. Ju siguroj që produktet që përdorim ne për dezinsektim janë të certifikuara,”-tha Rozafat Sopaj, drejtor i Shërbimeve në Bashkinë e Tiranës për gazetarin Nertil Agalliu.

Sipas të dhënave, zonat më të infektuara nga karkaleci janë ajo e Divjakës dhe e Belshit, përkatësisht me një sipërfaqe prej 1000-1100HA ku dëmet më të mëdha janë bërë në sipërfaqet e mbjella me foragjere dhe shalqi. Rreth 10% e kësaj siperfaqeje totale, ka vatra të fazave larvare të ndryshme, nga stadi i parë deri në të katërtin.

Advertisement