Connect with us

Kosova

Dorëheqja e policëve serbë/ SHBA dhe EULEX të shqetësuar për situatën

Tre policë serbë të cilët pak kohë më parë morën detyrën, janë dorëhequr. Lajmi është bërë i ditur nga shefi i EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano i cili në një postim në rrjete sociale tha se përbërja e policisë duhet të pasqyrojë dhe përfaqësojë shoqërinë të cilës i shërbejnë dhe mbrojnë.

“Jam duke parë me shqetësim dorëheqjet e fundit të tre anëtarëve të posa rekrutuar serbë të Kosovës, në Policinë e Kosovës (PK). EULEX-i po i ndjek nga afër këto zhvillime shqetësuese. Anëtarët jo shumicë të PK-së mund të kontribuojnë në sigurinë e komuniteteve të tyre përmes punës së tyre të orientuar nga komuniteti. Misioni është i përkushtuar të mbështesë përpjekjet e PK-së që synojnë zhvillimin e policisë efektive, efikase, përfaqësuese dhe të përgjegjshme në fushëveprim më të gjerë të sundimit të ligjit”, ka shkruar Barbano.

Lidhur me rastin, ka reaguar ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jeff Hovenier i cili ka thënë se situata është në vëzhgim.  Hovenier ka thënë se SHBA-ja është e përkushtuar për një forcë policore të Kosovës që është multi-etnike.

“Siç kam thënë shumë herë, Policia e Kosovës ekziston për t’iu shërbyer të gjitha komuniteteve në Kosovës dhe policët e saj duhet të jenë në gjendje të punojnë të lirë nga intimidimi”, ka shkruar ambasadori Hovenier.

Rreth 550 policë serbë u larguan nga Policia e Kosovës nëntorin e kaluar. Ata ishin integruar në Policinë e Kosovës në bazë të marrëveshjes së Brukselit në vitin 2013 për normalizimin e marrëdhënieve. Kur ata u larguan nga pozitat e tyre, Qeveria e Serbisë u dha atyre kontrata përmes Zyrës për Kosovën, në bazë të së cilave ata marrin kompensim monetar mujor.

Advertisement