Shkrime
Enver Bytyçi: Ndarja e Kosovës shkakton valë bërthamore në Europë
Nëse vëmë re qëndrimin e kryediplomatit të Bashkimit Europian Borrell, emisarit Lajçak e të tjerë të interesuar e angazhuar në dialogun Kosovë-Serbi, duket qartë se ata duan një zgjidhje konflikti në favor të Serbisë. Duan ta kafshojnë Kosovën, mundësisht në territory, dhe së paku me anën e një asociacioni që në veri të vendit shpall si mbret Radojçiçin, njeriun më të dashur të Aleksandër Vuçiç në këtë pjesë të vendit.
Duke konstatuar këtë fakt, më duhet të them se mos-njohja e pavarësisë së Kosovës nga ana e Spanjës, Sllovakisë dhe tri vendeve të tjera nuk vjen për shkak të precedentit të separatizmit në këto vende, siç ata pretendojnë, por vjen për shkaqe historike dhe aleancash pro-serbe e për pasojë edhe pro-ruse. Vjen, sepse rrënjët e propagandës dhe të aferave të tjera me diplomat e politikanë të këtyre vendeve janë të thella. Vjen, sepse Franca është pas tyre. Vjen edhe për shkak se SHBA, Gjermania e Britania e Madhe nuk duan të bëjnë presion ndaj këtyre pesë vendeve mos-njohëse!
Po pse arrij në këto arsyetime? Sepse, kur Borrell, Lajçak e të tjerë diplomatë në Evropë e SHBA duan ndarjen e Kosovës me apo pa Zajednicë, në fakt ndarja e saj shkakton precedentin në këto vende mos-njohëse e mos-mirënjohëse për Kosovën. Pse ndodh kjo? Po ja! Ia arritën që ta ndajnë territorin e Kosovës! Pjesa më e vogël në sipërfaqe, por më e pasura e vendit, do t’i shkojë Serbisë. Pjesa tjetër ose të qëndronte në opsionin e pavarësisë, ose do të bashkohej me Shqipërinë. Por opsioni i dytë është më reali. Megjithatë, në të dy rastet do shtohej barra për shkak të mungesës së resurseve tokësore.
Nëse do ndahej Kosova do të krijonte precedent për ndarjen e Qipros së Veriut . Nëse ndahet Kosova, atëherë Katalonja dhe baskët, kanë të drejtë të kërkojnë të shkëputen nga sovraniteti shtetëror spanjoll.
Ndarja e Kosovës u jep të njëjtat të drejta edhe pakicave në Rumani dhe në Sllovaki, ndërkohë që ve në lëvizje mekanizma të së drejtës edhe për çështjen çame në Greqi. Nëse ndahet Kosova, pse nuk do të duhej ndarë edhe Bosnja, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe vende e shtete të tjera ku jetojnë pakica shqiptare e jo shqiptare?! Pse nuk duhet ndarë vetë Serbia, ku jetojnë minoritete të shumta kompakte si shqiptarët në Luginën e Preshevës, hungarezët në veri të vendit, apo boshnjakët e muslimanët në perendim të tij?!
Dihet tashmë se pavarësia e Kosovës është produkt i shpërbërjes së Jugosllavisë dhe sidomos produkt i gjenocidit serb kundër shqiptarëve. Sado që këtë shkakun kryesor të shënuar si të dytë ta demantojnë në Beograd, nuk ka asnjë shans që e vërteta të tjetërsohet. Sado që Serbia të thotë se “Kanë bërë krime edhe shqiptarët”, e vërteta është në dritë të diellit. Një dyzinë serbësh të hamendësuar si të vrarë nga shqiptarët nuk barazohen me 14 mijë shqiptarë të pafajshëm të asgjësuar nga Serbia.
Ndërkohë kemi një koncept të ndryshëm në analizën e së drejtës ndërkombëtare lidhur me krimet e luftës. Krimet dhe gjenocidi serb në Kosovë me vrasje, shpërngulje të dhunshme të gati një milion shqiptarëve etj, u kryen sipas një projekti të përcaktuar nga qeveria dhe politika e Beogradit, ku rol të dorës së parë kishin edhe presidenti i sotëm serb, Vuçiq dhe ministri i Jashtëm Daçiq.
Nëse pranojmë se gjenocidi serb është arsyeja kryesore e pavarësisë së Kosovës, atëherë Spanja, Greqia, Sllovakia, Rumania dhe Qipro e kanë shumë më të lehtë të pranojnë pavarësinë e Kosovës. Ndërsa ndarja e Kosovës nuk mund të motivohet ndryshe, veçse me dëshirën për të realizuar Serbinë e Madhe. Por kjo nuk e bën asnjërin prej këtyre vendeve mos-njohëse të Kosovës një vend të madh. Përkundrazi, ndarja e Kosovës i bën këto vende të përjetojnë të njëjtin precedent, të cilit ato i frikësohen me pavarësimin e Kosovës