Shkrime
Kosova? Kur dhe si duam ne/ Flet ambasadori rus në Beograd
“Problemi i Kosovës mund të zgjidhet dhe do të ndodhë jo nesër, por pas një kohe, me kthimin e çështjes në kuadër të Rezolutës 1244 dhe duke marrë parasysh interesat e Beogradit” – Kështu deklaroi ambasadori i Rusisë në Serbi, Aleksandër Bocan-Kharchenko, duke theksuar se gjithcka do të ndodhë në kushte të reja gjeopolitike.
Ai deklaroi se Perëndimit i duhet një “zgjidhje imituese” për Kosovën dhe vlerësoi se asgjë e re nuk po propozohet dhe, siç thotë ai, nuk mund të propozohet.
“Sepse, pa marrë parasysh se çfarë thuhet, ky synim që ka ekzistuar që nga fundi i viteve të 90-ta, pra pavarësia e Kosovës dhe njohja e asaj pavarësie nga Beogradi, gjithmonë del si opcioni i vetëm i Perëndimit. Kjo është ajo që ata konsideron se është në interesin e tyre dhe ata gjithmonë bëjnë atë që është në interesin e tyre. Ata kurrë nuk hoqën dorë nga kjo, pavarësisht se çfarë formulimi kanë zgjedhur në negociatat për statusin”, tha ambasadori rus.
Aleksandër Bocan-Kharchenko beson se të gjitha përpjekjet e mëtejshme për, siç thotë ai, të ashtuquajturin normalizimi nga ana e Perëndimit trajtohet edhe sot si një mënyrë për të “detyruar Beogradin, ta vërë atë përpara një zgjedhjeje të pashmangshme – të njohë Kosovën”.
“Ata përdorin të gjitha metodat, dhe në këtë rast është e vështirë për mua të imagjinoj se presidenti Vuçic mund të bjerë në një kurth të tillë. Ai është një politikan me shumë përvojë në negociata dhe në jetë në përgjithësi”, theksoi ambasadori rus, duke shtuar se presidenti serb nuk duhet tu nënshtrohet tundimeve, provokimeve politike dhe negociuese.
“Radikali Albin Kurti do kontroll mbi komunat serbe dhe nuk i do serbët në Kosovë. Ai po bën gjithçka për të parandaluar jo vetëm normalizimin e marrëdhënieve me Beogradin, por edhe çdo lidhje mes Kosovës apo komunave të banuara me serb dhe Beogradit” – tha Bocan-Harchenko, qe u shpreh se beson qe pavarësisht nga të gjitha marrëveshjet, Kurti nuk do të pranojë asnjë vendim për formimin e asociacionit, edhe pse është pjesë e marrëveshjeve të Brukselit.
“Ka një kohë të gjatë, por ende nuk është zgjidhur. Dhe gjithçka përsëritet si në një shirit kasete audio”, tha ambasadori duke theksuar gjithashtu se në procesin e zgjidhjes përfundimtare të çështjes së Kosovës, nuk mund të anashkalohet Këshilli i Sigurimit i OKB-së.
Bocan-Kharchenko theksoi se mbajtja e çështjes së Kosovës në agjendën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ofron mundësi që vazhdimisht të shqyrtohet kjo çështje, të paralajmërohet për problemet që ekzistojnë dhe të ndërgjegjësohet shumica e botës për këto probleme.
“Nuk mund të them se situata mund të ndryshohet rrënjësisht, por procesi është afatgjatë dhe jam i bindur se nuk mund të zgjidhet. Perëndimi dëshiron shumë ta zgjidhë, dëshiron të krijojë pamjen e përpjekjeve intensive, kjo është e qartë,” tha Bocan-Kharchenko
Siç tha ai, perëndimi do të përfitonte nga “një lloj zgjidhje e problemit”, veçanërisht në kontekstin e Ukrainës, dhe do të tregonin se në rastin e Kosovës është suksesi i tyre dhe se problemi është zgjidhur.