Kosova
Dialogu vdiq, rroftë Bashkimi Europian dhe Amerika
Toby Vogel, bashkëpunëtor i Këshillit për Politikat e Demokratizimit në Bruksel, vlerëson se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, është klinikisht i vdekur, edhe pse realisht nuk sheh interes nga palët ta shpallin të vdekur atë. Ai vlerëson gjithashtu se presidenti serb, Aleksandçr Vuçiç, nuk dëshiron që dialogu të ketë sukses sepse kjo do t’i kërkonte atij njohjen e Kosovës.
Vogel theksoi se BE-ja dhe SHBA-ja, si lehtësuese të dialogut, nuk po e ekspozojnë Vuçiçin si pengesë kryesore të dialogut ashtu siç është në të vërtetë, por po e bëjnë Albin Kurtin prishës të dialogut – dhe sipas tij, një analizë e tillë e keqe do të sjellë edhe politikë të keqe.
Në një intervistë, Vogel u shpreh se kryeministri Kurti me të drejtë po mban qëndrim kokëfortë në dialog, sepse pala ndërkombëtare sipas tij, po i kërkon Kosovës formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe pa marrë asgjë në këmbim.
Sipas tij, duke pasur parasysh se Kosova u zotua ndaj Asociacionit një dekadë më parë, nuk do ta ketë të lehtë largimin prej saj pa e zbatuar atë, kësisoj, Kosova këmbëngul që edhe Serbia të japë diçka.
“Kam frikë se sapo Kosova të krijojë Asociacionin, nuk do të ketë absolutisht asnjë nxitje për Beogradin që të vazhdojë negociatat”, u shpreh Toby Vogel teksa dhe shtoi se si SHBA-ja ashtu edhe BE-ja e shohin Vuçiçin si një shtyllë kyçe të qasjes së tyre ndaj rajonit.