Connect with us

Kosova

Sulmi në Banjskë/ Kurti: Vuçiç e do luftën, ndërkombëtarët të reagojnë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se presidenti serb Aleksandër Vuçiç, me veprimet e tij, a si qëllim krijimin e një ‘Republika Srpska’ në Kosovë.

Në një intervistë për rrjetin “Al Jazeera”, duke folur për sulmin e grupit terrorist serb në fshatin Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023 ku mbeti i vdekur efektivi Afrim Bunjaku, Kurti u shpreh se sulmi ishte “për të destabilizuar vendin me synimin për të nisur një luftë”.

Përsa i përket arsenalit të kalibrit të lartë të gjetur në veri të Kosovës pas sulmit të 24 shtatorit tha se  “ajo që ne dimë është se ne kemi konfiskuar municione dhe armë në vlerë prej pesë milionë euro [5.3 milionë dollarë] dhe të gjitha janë prodhuar në fabrika në Serbi”.

“Granatat e dorës, mitralozat, gjithçka që ne konfiskuam është prodhuar në Serbi dhe nuk mund të gjendet në treg. Është e qartë se ushtria e Serbisë ua ka dhënë këtë formacioneve paraushtarake”.-shtoi ai.

Ndër të tjera, Kurti u shpreh se qëllimi kryesor i atij sulmi ishte provokimi dhe nxitja e një lufte.

“Ata donin që policia jonë të hynte në manastirin e Banjskës, në mënyrë që të shpërndanin foto në mbarë botën duke treguar plumba në muret e manastirit. Kjo nuk ndodhi sepse policia jonë është shumë e fortë dhe shumë profesionale dhe sulmuesit u arratisën.”

Ata donin vetëm që fillimi i një lufte të ishte të dielën, më 24 shtator. Dihet mirë si filloi lufta në Sarajevë . Më 1 mars 1992, gjatë një dasme, u plagos një prift ortodoks serb. Ne ishim shumë të kujdesshëm që diçka e ngjashme të mos ndodhte. Por unë mendoj se ata donin të përsërisnin skenarët e fillimit të luftës në ish-republikat e Jugosllavisë”.- është shprehur kryeministri i Kosovës.

“Kë po mbrojnë atje? Ata erdhën për të sulmuar… [Vuçiç] e do luftën, ai dëshiron luftën dhe ai dëshiron luftën sepse ai dëshiron një Republika Srpska në Kosovë,” tha Kurti për Al Jazeera, duke iu referuar entitetit të udhëhequr nga serbët në Bosnje dhe Hercegovinë, të formuar gjatë Dejtonit, marrëveshja e paqes në vitin 1995, e cila zyrtarisht i dha fund luftës, por është burimi i shumë trazirave sot.

Për të shmangur përsëritjen e sulmeve të tilla, Kurti i tha Al Jazeera-s dy gjëra duhen urgjentisht – siguria për Kosovën dhe sanksionet për Serbinë.

“Gjatë gjithë kohës ata po kryejnë disa stërvitje ushtarake pranë kufirit tonë… Unë mendoj se kjo është shumë e rrezikshme. Ata do të mendojnë se ju jeni ose të frikësuar ose të dobët. Kjo është arsyeja pse komuniteti ndërkombëtar – komuniteti evropian, NATO, SHBA dhe Britania e Madhe – duhet t’i tregojnë dhe t’i dëshmojnë Beogradit se nuk do të lejohet kthimi në vitet 1990”.

Advertisement