Kronike
‘Tempulli’/ Arrestohet 28-vjeçari i shpallur në kërkim, shkon në 97 numri i të ndaluarve në Tiranë
TIRANË– Një 28-vjeçar i shpallur në kërkim në kuadër të megaoperacionit Tempulli është arrestuar në Tiranë. Me arrestimin e 28-vjeçarit, H.S., ka shkuar në 97 numri i të ndaluarve në Tiranë. I riu është kapur në rrugën “Vangjush Furxhi”, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Në kuadër të megaoperacionit të nisur prej 14 shtatorit 2023 deri tani janë arrestuar rreth 240 persona në mbarë vendin për shpërndarje drogash pranë shkollave dhe lokaleve të frekuentuara nga të rinjtë. 23 grupe kriminale u shkatërruan në megaoperacioni i zhvilluar në 5 qarqe të ndryshme të vendit, Tiranë, Durrës, Korçë, Vlorë dhe Elbasan. Gjatë zhvillimit të këtij operacioni, janë sekuestruar 10 kg lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, 3.7 kg kokainë, 150 doza heroine, 1 armë zjarri pistoletë, 12 automjete, 78 celularë, 12 peshore elektronike, 3 motomjete, 30 000 euro, 6000 paund, 4 500 000 lekë dhe 12 targa automjetesh.