Bota
SHBA sanksionon djalin dhe vajzën e Millorad Dodik
Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj individëve dhe entiteteve të lidhura me nacionalistin serb të Bosnje-Hercegovinës, Millorad Dodik, mes të cilëve edhe dy fëmijët e tij, Gorica dhe Igor Dodik, ka njoftuar Departamenti amerikan i Thesarit.
Në listën e sanksioneve të Zyrës për Kontrollin e Aseteve të Huaja janë shtuar edhe bizneset si “Agape”, i lidhur me Gorica dhe Ivan Dodikun, kompania “Agro Voce”, e cila është e lidhur me Goricën, kompania “Fruit Eco”, e lidhur me Igorin dhe kompania “Global Liberty”, e lidhur me dy fëmijët e Dodikut.
“Pjesëtarët e këtij rrjeti, përfshirë fëmijët e Dodikut, kanë lehtësuar procesin e korrupsionit të Dodikut në Republikën Sërpska të Bosnje-Hercegovinës, duke i mundësuar atij qasjen në fondet publike të Republikës Sërpska, dhe për ta pasuruar atë dhe familjen e tij në kurriz të qytetarëve të Bosnjës dhe autoriteteve funksionale të shtetit” – Thuhet në deklaratën e Thesarit amerikan.
E para që ka reaguar mbi këtë vendim ka qenë vajza e Dodik, Gorica, e cila ka shpërndarë në llogarinë e saj në X postimin e ambasadës amerikane në Sarajevë, ku jepej njoftimi për futjen e saj në listën e zezë.
“Faleminderit shumë, nuk ka privilegj më të madh në këtë ditë dhe kohë se sa të jesh në listën tuaj të zezë, është prova se ne nuk jemi agresorë dhe kriminelë si ju. Duart tuaja janë me gjak deri në bërryla, kushdo që ju mbështet ju është bashkëpunëtor në krimet tuaja të tmerrshme rreth botës”, shkruan Gorica.
Vetë Dodik, i njohur edhe si lider pro-rus, është sanksionuar nga SHBA-ja më 5 janar të vitit 2022. SHBA-ja e ka akuzuar atë se drejtëpërdrejt apo në mënyrë të tërthortë ka shkelur, penguar apo kërcënuar që Marrëveshja e Dejtonit të mos zbatohej, por edhe nën akuza se është përfshirë në aktivitete korruptive.