Connect with us

Aktualitet

SPECIALE | Dialogu nuk ka alternativë/ Emisarët në anën e BE

Diskutimet ishin “të thella dhe thelbësore” mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe “pesëshes së madhe” diplomatike, njoftoi para gazetarëve ndërmjetësi evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pas përfundimit të takimit. Pesëshja e emisarëve thanë se “dëgjuam me kujdes shqetësimet e Kurtit” për situatën e sigurës në veri, ndërsa dënuan fuqishëm sulmin terrorist dhe paramilitar serb në Banjskë të Zveçanit, për çka Lajçak u shpreh se nuk duhet të ketë dilema që “autorët nuk do të mund të ikin nga kjo”. Megjithatë Lajçak, i cili prapa vete kishte emisarin amerikan për Ballkanin Perëndimor dhe këshilltarët kryesorë të krerëve shtetëror të Gjermanisë, Francës dhe Italisë, tha se ngjarjet në Banjskë “as nuk e shkundin” as “nuk e zhbëjnë” dialogun për normalizim dhe as Marrëveshjen Bazike të arritur këtë vit; përkundrazi, tha ai, e bëjnë “edhe më urgjente”. Asociacioni i Komunave të banuara me shumicë serbe, tha Miroslav Lajçak, është kërkesë parësore e bashkësisë ndërkombëtare dhe “nuk do të ketë përparim në rrugën evropiane të Kosovës pa themelimin e saj”. “Si kryeministër i Kosovës, kryeministri Kurti ka përgjegjësi të bëjë progres për normalizimin e raporteve nëse Kosova dëshiron të bëjë progres drejt Bashkimit Evropian. Dhe këtu duhet ta theksojmë nevojën për të lëvizur në themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe pa vonesa të tjera. Pa këtë (themelimin e Asociacionit) nuk do të ketë progres në rrugëtimin evropian të Kosovës. Ne çmojmë gatishmërinë e Kurtit për të vazhduar diskutimet tona së shpejti”, tha Lajçak. Pyetur nga gazetarët se a sollën sot para Kurtit ndonjë plan se si do të duket dhe do të bëhet ky Asociacion, Lajçak siguroi se kanë plan por se – tash për tash – nuk mund të futet në detaje.

Advertisement