Rajon
BE-ja nuk e ndihmon për zjarret, Serbia kthehet nga Moska, Rusia dërgon “avionin special”
Serbia është përballur me vatra të shumta zjarri, ndërsa për shkak të mungesës së kapaciteteve ajrore të Bashkimit Evropian, Beogradi i është drejtuar Rusisë për ndihmë.
Sipas raportimeve të Reuters, një avion rus i tipit IL-76P ka mbërritur më 19 gusht në aeroportin e Nishit dhe është angazhuar në operacionet për shuarjen e zjarreve në zonën e mbrojtur të Deliblatska Pescara.
Ndërhyrja ruse vjen në një moment kur kapacitetet evropiane për luftimin e zjarreve janë të mbingarkuara, për shkak të situatës së rënduar në disa vende të kontinentit.
Serbia, edhe pse nuk është anëtare e Bashkimit Evropian, mund të kërkojë ndihmë përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së. Megjithatë, Komisioni Evropian ka bërë të ditur se Beogradi nuk e ka aktivizuar ende zyrtarisht këtë mekanizëm.
Brukseli thotë se është i gatshëm të ndihmojë nëse Serbia paraqet një kërkesë zyrtare. Ndërkohë, Beogradi ka zgjedhur të kërkojë mbështetjen e Moskës, e cila ka vënë në dispozicion avionin special për ndërhyrje nga ajri.
Situata nxjerr në pah edhe një paradoks: Serbia kishte dërguar më herët ekipin dhe avionin e saj zjarrfikës për të ndihmuar Spanjën, ndërsa tash, përballë zjarreve në territorin e saj, po mbështetet te kapacitetet ruse.