Connect with us

Rajon

Vuçiç shpërthen ndaj Kosovës dhe Perëndimit: Terror ndaj serbëve

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka vijuar sulmet ndaj Kosovës dhe vendeve perëndimore, në një kohë kur po diskutohet hapja e plotë për qarkullim e urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

Vuçiç e ka cilësuar situatën si “terror” ndaj serbëve të Kosovës, duke akuzuar jo vetëm kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, por edhe shtetet perëndimore për mbështetje ndaj Prishtinës.

“Bëhet fjalë për terror, jo vetëm nga Albin Kurti, por edhe nga ndihmësit e tij në Perëndim. Nuk e kam problem ta them këtë të vërtetë. Të gjitha këto i bëjnë së bashku”, deklaroi Vuçiç.

Sipas presidentit serb, tensionet lidhen edhe me faktin që Serbia vijon të mos e njohë pavarësinë e Kosovës, 18 vjet pas shpalljes së saj.

Duke iu referuar hetimit të Inspektoratit Policor të Kosovës ndaj dy efektivëve, pas pretendimeve për dhunë ndaj një qytetari serb, Vuçiç e lidhi këtë zhvillim me çështjen e urës së Ibrit. Ai akuzoi Prishtinën dhe Perëndimin se po e “shpërblejnë” atë që e cilësoi si sjellje të papranueshme me hapjen e urës.

Vuçiç kritikoi gjithashtu komandantin e KFOR-it dhe deklaroi se do t’i drejtohet me letër Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, për t’i kërkuar që ura të mos hapet për qarkullim.

Çështja e urës së Ibrit ka qenë prej kohësh një pikë e ndjeshme në marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Beogradit, ndërsa vendimi për hapjen e saj për automjetet pritet të ndikojë edhe në situatën e sigurisë në veri të Kosovës.

Advertisement