Connect with us

Aktualitet

EDITORIAL | Kosovë-Serbi: Marrëveshje ose Marrëveshje! – Shkrim nga NTV

Ngjarjet e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, në veri të Kosovës, kanë ndikuar në shumë gjëra. Megjithatë përkundër vrazhdësisë së incidentit, nuk ka ndikuar dhe nuk mund të ndikojë në thelbin e procesit. Marrëveshja e Ohrit për zbatimin e Marrëveshjes Themelore ende qëndron dhe të dyja palët, Kosova dhe Serbia, duhet ta zbatojnë atë. Burime të përfshira në procesin e menaxhuar nga “pesëshja e madhe”, tregojnë që faktori perëndimor nuk e pranon si valid pohimin e palës kosovare “së pari siguria, pastaj dialogu”. Kjo gjë i është bërë e qartë krerëve shtetëror në Prishtinë. Pra, nëse Kosova synon të jetë brenda arkitekturës euro-atlantike të sigurisë atëherë për Kosovën nuk ka rrugë tjetër veç zbatimit të marrëveshjes. Burime diplomatike shpjegojnë që autoritetet në Serbi tashmë e kanë kristal të qartë që sulmi në Bansjka, dhe përpjekja për të nxitur një kryengritje të armatosur në veriun e Kosovës, ka shkelur një vijë të kuqe shumë të rëndësishme për komunitetin perëndimor. Sipas këtyre burimeve, me 29 shtator 2023, Beogradi e ka mësuar qartë e mirë që NATO nuk do të hezitojë të përdorë forcën si përgjigje ndaj çdo akti të agresionit kundër Kosovës dhe se te autoritetet në Serbi tani nuk ka asnjë dromcë vullneti për çfarëdo marrëzie kundër Kosovës. Të pyetur rreth mundësisë që kryeministri Kurti të provokojë ndonjë konfrontim të ri në veri të Kosovës, si manovër për t’i ikur zbatimit të marrëveshjes, një teori që trumpetohet së fundmi, burimet nuk e përjashtojnë si mundësi teorike, por tërheqin vërejtjen që situata tani është thellësisht e ndryshme prej asaj të muajit shtator.

Advertisement