Connect with us

Kosova

Kurti po na kërcënon/ Dodik për takimin me Komshiç dhe Beqiroviç

Presidenti ultra-nacionalist i republikës Srpska – entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë – Millorad Dodik, e ka quajtur “kërcënim për sovranitetin” e Bosnje Hercegovinës,  takimin që kryeministri Albin Kurti pati me kryetarin e presidencës trepalëshe, boshnjake, serbe dhe kroate, të Bosnje Hergevovinës, Zhlejko Komshiç dhe boshnjakun Denis Beqiroviç.

Dodik ka pretenduar se ky takim “është një akt i drejtpërdrejtë i shkatërrimit të Bosnje Hercegovinës”.

Kryeministri Kurti e kreu takimin gjatë vizitës së tij në Paris në Forumin e Paqes, ku ka biseduar për rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve nga Procesi i Berlinit.

Sipas autoritarit Dodik, Komshiç dhe Beçiroviç “tregojnë në këtë mënyrë se janë të gatshëm të njohin pavarësinë e Kosovës”, duke pretenduar se ata të dy “udhëheqin një politikë hipokrite” dhe se takimi i tyre me Kurtin “është një nga një seri provokimesh të paramenduara”.

“Në rastin e Bosnje Hercegovinës, ata vazhdimisht janë përpjekur t’i ‘japin mësime’ presidentit serb Aleksandër Vuçiç për sovranitetin dhe integritetin territorial” – ka theksuar Dodik, duke pretenduar se për Kosovën, të cilën e quajti “provincë jugore serbe”, ata “e harrojnë këtë dhe sulmojnë drejtpërdrejt integritetin e Serbisë”.

“Po ashtu, kur përmendet shpërbërja paqësore në Bosnje Hercegovinës, atëherë u mbushet goja me sovranitet, por janë të gatshëm të ndërhyjnë në punët e brendshme të Serbisë” – pretendoi i sanksionuari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Ai shtoi se s’ka asnjë vendim nga Bosnje Hercegovina për njohjen e Kosovës, dhe se Republika Srpska “kurrë nuk do të pajtohet me një gjë të tillë, pavarësisht nga qëndrimet e politikanëve”.

Advertisement