Connect with us

Shkrime

Jakshiç: Në Serbi, Kosova perceptohet si çështje partiake, jo shtetndërtimi

“Pse nuk ka konsensus politik për Kosovën? Kjo është një pyetje e dhimbshme për Serbinë, së cilës, për fat të keq, nuk i janë përgjigjur as qeveria aktuale, as ajo e mëparshme dhe as opozita” –  beson komentatori politik dhe gazetari Boshko Jakshiç dhe thekson se Kosova është një çështje e dorës së parë ajo shtetformuese, jo çështje partiake, por që ende perceptohet dhe trajtohet si e tillë.

“Këtu qëndron përgjigja se pse nuk ka consensus. Kosova perceptohet si çështje partiake, përdoret për të kritikuar qeverinë vetëm për hir të kritikës apo si argument për ndryshimin dhe rrëzimin e saj, pa menduar dhe analizuar seriozisht se duhet të mbështetet një zgjidhje. Prandaj nuk ka konsensus të përgjithshëm nëse çështja e Kosovës duhet të zgjidhet dhe në çfarë mënyre duhet të zgjidhet. Nëse do të kishte një konsensus të tillë, atëherë zgjidhja do të ishte më e lehtë. Mirëpo, nuk ka asnjë dhe kjo fushatë zgjedhore në Serbi e konfirmon. Opozita nuk tregon qartë qëndrimin e saj në lidhje me Kosovën” – theksoi Jakshiç

Ai tha gjithashtu se fushata për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të planifikuara për 17 dhjetor përsëri tregojnë “normalitetin e elektoratit në Serbi, i cili, si në shumicën e vendeve të tjera, është i interesuar në radhë të parë për standardin e jetesës dhe më pas për të gjitha çështjet e tjera”.

“Edhe pse shpesh herë ka qenë praktikë deri më tani që Kosova të jetë në krye të temave parazgjedhore, tani nuk është më kështu. Nëse do kishim një shkallë nga 1 deri në 10, Kosova do të ishte diku në mes. Gjithsesi, në një vend shumë të rëndësishëm, pasi e meriton të jetë një problem që e shqetëson këtë shoqëri me dekada” – deklaroi komentatori politik. Ai kujtoi edhe se në të kaluarën ka pasur përpjekje për të zbatuar diçka që është konceptuar si një dialog i gjerë kombëtar për çështjen e Kosovës.

“Me vite, me dekada, kam mbrojtur qëndrimin se çështja e Kosovës është shumë e rëndësishme për t’jua lënë vetëm politikanëve, analistëve, gjeneralëve. Në dialog duhet të përfshihen realisht sektorë të ndryshëm të shoqërisë, që nga gjeneralët e përmendur, rojet e sigurisë, inxhinierëvet e  minierave, ekspertëve të industrisë elektrike dhe ujit, përfaqësues të Kishës Ortodokse Serbe, kuratorët e muzeumeve, pra, gamës më të gjerë të njerëzve.Kemi pasur një përpjekje deri tani që ka qenë e pasuksesshme sepse ishte nën kapak partie, dhe për fat të keq, nuk mund të arrijmë në një zgjidhje reale që nuk do të kontestohet dhe që nuk do ta ndajë vendin, por do ta bashkojë atë” – tha Jakshiç.

I pyetur se sa e vështirëson pozitën e Beogradit mungesa e konsensusit rreth Kosovës në negociatat me Prishtinën, si dhe në marrëdhëniet me BE-në dhe SHBA-në, Jakshiç beson se e bën më të vështirë pozitën e negociatorëve.

“Komuniteti ndërkombëtar apo perëndimi ka edhe interesat e veta egoiste dhe ata janë të interesuar vetëm për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës” – u shpreh analisti politik duke shtuar se edhe në skenën e brendshme këto ndarje kanë ndikim.

“Ne po shohim se si po ndryshon retorika, sidomos ajo parazgjedhore. Presidenti Vuçiç po e intensifikon retorikën negative, duke pohuar me shumë vendosmëri se Serbia nuk do ta njohë kurrë Kosovën, se nuk do të nënshkruajë as marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit. Duket se gjithcka po shembet, por në fakt është në funksion të zgjedhjeve dhe në një farë mënyre qetësimi i opozitës dhe i asaj pjese të publikut që e kundërshton njohjen, megjithëse e kemi të qartë të gjithë se plani europian do të aktivizohet pas zgjedhjeve, d.m.th pas formimit të një qeverie të re” – theksoi Jakshiç.

Ai gjithashtu është i mendimit se do të ishte shumë më mirë “nëse presidenti Vuçiç do ta thoshte qartë – ky është plani për Kosovën, unë po shkoj në zgjedhje me të” dhe të përpiqej të mblidhte elektorat rreth tij.

“Kështu ndahet elektorati, që më pas në fazën tjetër vështirëson zbatimin e marrëveshjes, kur të formohet qeveria dhe kur të fillojë zbatimi i asaj që është rënë dakord në Bruksel dhe Ohër. Atëherë partia e tij do të shënojë rënie të popullaritetit.Por tani ai po manovron dhe po shmang që kjo të ndodhë para zgjedhjeve.

Kujtojmë se Vuçiç ka deklaruar se nuk do të ketë zgjedhje të reja të tjera deri në vitin 2027, që besoj se nuk është deklaratë e rastësishme, por pikërisht për të krijuar një kornizë kohore më të gjatë në të cilën ai shpreson të amortizohet pakënaqësia e pritshme e një pjese të konsiderueshme të publikut kur marrëveshja të finalizohet” – potencoi komentatori politik dhe gazetari Boshko Jakshiç

 

Advertisement

TRENDING