Connect with us

Shkrime

Analiza e Surroit: Kosova është pjesë e konflikteve të papërfunduara të ish-Jugosllavisë

Veton Surroi, publicist i njohur e shkrimtar, ka shkruar një artikull të titulluar “Dy luftëra dhe tri palë zgjedhje”, ku ka komentuar dialogun mes Kosovës dhe Serbisë në vitin 2024. Sipas Surroit, dialogu mes palëve do të kushtëzohet nga tri palë zgjedhje, në Serbi, Bashkimin Europian dhe SHBA, si edhe nga dy luftëra, atë në Ukrainë dhe ajo mes Izraelit dhe Hamasit.

Surroi vlerësoi që pyetja se çfarë do të bëhet me Kosovën, një brengë kolektive disa dekadëshe, do të vazhdoj të shtrohet edhe gjatë vitit 2024, e ndoshta edhe më gjatë.

“Kam frikë se as një vit më pas, nuk do të mbërrijmë në pikën tej brengës për rehati kolektive. Pra, do të ndodhë që edhe një vit më pas të jemi në gjendje të shtrojmë pyetjen: Çfarë do bëhet me Kosovën, sepse Kosova nuk është e përcaktuar për rehati, (fjalë kod për mbyllje të konfliktit me Serbinë, sepse ky është burimi thelbësor i parehatisë), sepse në vitin 2024 do hyjmë në një vit edhe më të ndërlikuar” – shkroi publicisti Surroi.

Në analizën e tij, ai vlerëson se Kosova është pjesë e konflikteve të papërfunduara të ish-Jugosllavisë, shpërbërja e së cilës nisi në fillim të viteve 1990, pasi nacionalizmi serb i ndezur nga pushteti i Millosheviçit, synoi të centralizonte Jugosllavinë, një nismë që u kundërshtua ashpër atë kohë.

Sipas Surroit, lufta në Ukrainë dhe sulmet e Izraelit në Gaza do të ndikojnë edhe në marrëdhëniet mes Kosovës e Serbisë në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

“Sot për sot, Kosova është pjesë e konflikteve të papërfunduara të ish-Jugosllavisë, potencialisht replikim në miniaturë i vijës së fërkimit mes botës euroatlantike dhe asaj euroaziatike në këtë pjesë ende traumatike të Evropës, të quajtur Ballkani Perëndimor. Por, në kontekstin Ukrainë-Gaza, ky është një problem minor, pra edhe do të duhej të dukej i zgjidhshëm nga vetë palët.” – komentoi Surroi, i cili gjithashtu shpërfaqi edhe idenë e tij, sipas së cilës duhet të rregullohen marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë.

“Pika kthesë e konfliktit të papërfunduar do të duhej të ishte marrëveshja e normalizimit Kosovë-Serbi, dhe kjo planifikohej të arrihet në Washington dhe në kryeqytete evropiane, në fund të vitit 2023. Ky afat nuk do të arrihet dhe tashmë marrëveshja Kosovë-Serbi, përpos ndikimit nga dy luftërat, do të matet në kontekstin e tri palë zgjedhjeve: Në Serbi më 17 dhjetor të këtij viti, në Bashkim Evropian në maj të vitit të ardhshëm, dhe në SHBA në nëntor 2024.” – Ka shkruar në analizën e tij, Veton Surroi

 

 

Advertisement