Kosova
Kurti letër shefit të OSBE-së, kushtëzon mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nëpërmjet një letre drejtuar shefit të Misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Michael Davenport, ka deklaruar se Serbia duhet të propozojë një marrëveshje të veçantë në mënyrë që t’i mundësohet komunitetit serb në Kosovë të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të Serbisë në dhjetor.
“Në lidhje me çështjen e bashkëpunimit ndërshtetëror për votimin jashtë vendit, me qëllim që të mundësohet që qytetarët e komunitetit serb në Kosovë me shtetësi të dyfishtë të votojnë në zgjedhjet serbe, është e nevojshme një marrëveshje e veçantë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në letër.
Kërkesa për këtë marrëveshje, sipas kreut të ekzekutivit kosovar, duhet të vijë nga Serbia, ndërsa çdo kërkesë nga pala serbe duhet të marrë për bazë sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës, në përputhje me nenin 2 të Marrëveshjes Bazë (Bruksel, 27 shkurt – Ohër, 18 mars) për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën kujdesin e Bashkimit Evropian (BE).
“Me këto kushte inkurajojmë Serbinë që të negociojë një marrëveshje të tillë speciale me Kosovën, duke zbatuar në këtë mënyrë edhe një detyrim tjetër të Marrëveshjes Bazë: të kontribuojë në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, në bazë të të drejtave të barabarta dhe respektit reciprok të të drejtat e votuesve jashtë vendit” – thuhet ndër të tjera në letrën e kryeministri Kurti.
Serbia, nëpërmjet drejtorit të të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, ka kërkuar që zgjedhjet parlamentare serbe të planifikuara më 17 dhjetor të këtij viti të organizohen edhe në territorin e Kosovës, sipas të njëjtit model të aplikuar edhe në zgjedhjet parlamentare të Serbisë në vitit 2020 dhe përfshirjen e OSBE-së.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka njoftuar para dy jave për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare dhe lokale më 17 dhjetor 2023.