Connect with us

Kosova

‘Perëndimit i intereson vetëm ngjarja në Banjskë’

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka thënë se perëndimit i intereson vetëm sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit, teksa akuzoi institucionet e Kosovës, për siç pretendoi ai, “dhunë” ndaj serbëve të Kosovës.

Këto komente, Vuçiç i bëri në një konferencë për media, ku theksoi se në takimin që ka pasur dje me kreun e NATO-s Stoltenberg për më shumë se 1 orë, kanë diskutuar për të gjitha çështjet e rëndësishme.

“Ajo që me siguri mund të konfirmoj, atë që tha Sekretari i Përgjithshëm Stoltenberg, është se bashkëpunimi me NATO-n, me KFOR-in, është i rëndësishëm për ne, me shpresën se do të kemi sigurinë e popullit serb në Kosovë sa më shumë që të jetë e mundur”, tha Vuçiç.

“Kur Stoltenberg thotë se KFOR-i siguron paqen dhe sigurinë për të gjitha komunitetet në Kosovë, nuk ka pasur nevojë të garantojë paqe dhe siguri për askënd tjetër përveç serbëve. Vetëm serbët u kërcënuan, vetëm serbët u sulmuan, shqiptarët nuk u sulmuan kurrë”, pretendoi Vuçiç

Ai gjithashtu ka theksuar se Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s i ka thënë që “13 për qind e serbëve janë larguar nga Veriu i Kosovës”, dhe kjo sipas pretendimeve të tij, për shkak “të presionit të madh, arrestimeve, ngacmimeve dhe kërcënimeve nga regjimi i Prishtinës”.

“Nëse kjo nuk është dhunë, atëherë nuk e di se çfarë është dhuna. Sepse e di që perëndimit i intereson vetëm Banjska. Më duhet të them se ne kemi një pikëpamje tjetër për atë që ndodhi, por e kuptojmë mirë se cilat janë kërkesat e Perëndimit dhe cilat janë kërkesat e NATO-s” – theksoi Vucic, I cili përsa i përket bashkëpunimit me NATO-n, deklaroi se Serbia do të përpiqet që të ketë komunikim sa më të mirë në të ardhmen.

“Përsa i përket Ushtrisë Serbe, ajo i ka kryer detyrat e saj në mënyrë profesionale, nuk i ka tejkaluar asnjëherë të drejtat, kompetencat, ka pasur gjithmonë marrëdhënie korrekte me KFOR-in dhe NATO-n” – potencoi Vuçiç, pasi që Stoltenberg pati deklaruar se ngritja e gatishmërisë ushtarake të Serbisë përgjatë kufirit të Kosovës nuk i shërben përpjekjeve për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe zbutjes së tensioneve.

Ndërkaq, Vuçiç theksoi edhe se shteti që ai drejton është i interesuar të ruajë “paqen dhe stabilitetin”, dhe shtoi se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe nuk do të krijohet për sa kohë Kurti do të jetë në pushtet.

“Serbia po bën gjithçka për të arritur një zgjidhje kompromisi në dialog dhe nuk ka asgjë nga Asociacioni dhe nuk do ta formohet për sa kohë të jetë Kurti në pushtet, pasi ai do të kërkojë vetëm justifikime”.

Advertisement