Connect with us

Rajon

Kamberi, zëri shqiptarëve në Parlamentin e Serbisë

Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik (PVD) dhe udhëheqësi i koalicionit “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon”, Shaip Kamberi, pritet të përfaqësojë shqiptarët e Luginës së Preshevës – Preshevë, Medvegjë e Bujanoc – në Kuvendin e Serbisë edhe për një mandat. Ai ka fituar votat e nevojshme për të qenë zëri i shqiptarëve në legjislativin serb.

Radio Televizioni i Kosovës (RTK) ka raportuar të dielën se koalicioni “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon”, në zgjedhjet qendore të Serbisë të mbajtura këtë të dielë (17 dhjetor), ka fituar rreth 11 mijë e 500 vota, kurse “Alternativa Demokratike Shqiptare – Lugina e Bashkuar” e kryetarit aktual të Preshevës, Shqiprim Arifi, ka marrë rreth 1 mijë e 250 vota.

E të drejtë vote kanë pasur rreth 6.5 milionë shtetas të Serbisë. Qendrat e votimit janë hapur në orën 07:00 të mëngjesit, ndërsa janë mbyllur në orën 20:00 në mbrëmje. Deri në orën 20:00 kanë votuar 59.68 për qind e qytetarëve, kurse procesi është monitoruar nga mbi 5 mijë vëzhgues.

Shpallja dhe organizimi i zgjedhjeve në Serbi vjen në një periudhë kur janë intensifikuar përpjekjet e bashkësisë së organizuar ndërkombëtare për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në dritën e ngritjes së tensioneve pas sulmit të armatosur terrorist të 24 shtatorit në fshatin Banjë të Zveçanit në pjesën veriore të Kosovës.

Advertisement