Kosova
Vuçiç kryqëzohet në Bruksel/ Ja çfarë paralajmëruan eurodeputetët
Shumë deputetë të Parlamentit Evropian kanë shprehur vërejtje dhe kritika të ashpra për procesin zgjedhor që u mbajt në Serbi në dhjetorin e vitit të kaluar. Për situatën politike në Serbi është diskutuar më 23 janar në Komisionin për politikë të jashtme të Parlamentit Evropian.
Marko Makovec, tha se sundimi i ligjit mbeten në qendër të procesit të anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian dhe rikujtoi se Serbia duhet të zbatojë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun për normalizim të raporteve me Kosovën, që ndërmjetësohet nga blloku evropian.
“Viti 2023 ishte një vit me zhvillime të përziera në procesin e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Pamë përshkallëzime serioze, sulme ndaj ushtarëve të KFOR-it në maj dhe sulme të dhunshme në Banjskë më 24 shtator. Por, pamë edhe përparim në disa fusha”, tha ai, duke nënvizuar se viti 2023 përfundoi me disa hapa pozitiv, siç ishte çështja e targave dhe ajo e energjisë.
Megjithatë, Makovec konstatoi se sipas vlerësimit të BE-së, përsa i përket situatës në veriun e Kosovës, e banuar me shumicë serbe, nuk ka pasur përparim ashtu siç është pritur. Makovec po ashtu deklaroi se duhet të ketë përgjegjësi për sulmin në Banjskë të Zveçanit.
Makovec tha se Serbia po ashtu duhet të përshtat politikën e saj të jashtme me atë të BE-së dhe mospërshtatja, persa i përket vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainë, tashmë ka prodhuar pasoja për procesin integrues evropian të Serbisë.
Disa eurodeputetë thanë se delegacioni vëzhgues i zgjedhjeve në Serbi nga Parlamenti Evropian ka qenë dëshmitar i manipulimeve në zgjedhje, dhe kur ky delegacion ka raportuar parregullsitë është sulmuar verbalisht nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe Qeveria serbe.