Kosova
Hill: Themelimi i Asociacionit çështje kohe, zgjidhë problemin e dinarit
Ambasadori i SHBA në Beograd, duke folur për bisedimet Kosovë-Serbi dhe vizitën e Emisarit amerikan në Prishtinë, ka thënë se Gabriel Escobar ka lënë porosi mjaft të ashpra.
Sipas tij, dinari është një problem i madh për momentin, por çështja thelbësore është Asociacioni.
“Megjithatë, ajo që është ngushëlluese është se të gjithë e kuptojnë se është e nevojshme të zgjidhet ky problem. Negociatori amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar, ishte në Kosovë dhe i dërgoi mesazhe mjaft të ashpra dhe të qarta lidershipit kosovar. Duhet të zgjidhen disa probleme dhe çështja e heqjes së dinarit është më e freskëta dhe ndoshta më e vështira. Megjithatë, çështja themelore që duhet të zgjidhet dhe për të cilën tashmë është rënë dakord që të kaluarën është Asociacioni i Komunave Serbe. Me themelimin e Asociacionit do të zgjidhen të gjitha problemet tjera si strukturat paralele apo përdorimi i dinarit. Çështja është vetëm kur, jo nëse do të ndodhë. Logjika është shumë e qartë, të dyja palët tashmë kanë rënë dakord për këtë, kjo është ajo që dëshiron BE-ja dhe do të realizohet” – ka deklaruar Hill në Euronews Serbia.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, ka folur gjithashtu edhe rreth insistimit të Kryeministrit Kurti për nënshkrim të Marrëveshjes Bazike dhe Ohrit si kusht për zbatimin e saj.
Pa e përmendur me emër Kurtin, Hill tha se “gjëja e parë është respektimi i dialogut dhe marrëveshjeve tashmë të arritura”.
Sipas tij, kur emisari I Bashkimit Europian Miroslav Lajçak thotë se marrëveshja e Ohrit është valide, atëherë e tillë është.
Hill gjithashtu, duke iu referuar Kurtit tha se kur dikush nuk do të bëjë dicka, ai merret me mekanizmat.
“Kur Lajçak thotë se marrëveshja është e vlefshme, do të thotë se është e vlefshme. Besoj se nuk duhet bërë asnjë përpjekje për të ndryshuar mënyrën në të cilën shprehet vlefshmëria e asaj marrëveshjeje. Kur dikush nuk dëshiron të bëjë diçka, atëherë i referohet mekanizmave. Mekanizmat nuk duhet të abuzohen. Lajçak e dinte se çfarë po bënte kur arriti marrëveshjen në Ohër dhe mendoj se ne duhet të ecim përpara në këtë bazë” – ka theksuar ambasadori amerikan
I pyetur a është Kurti partner i ShBA’së, Hill u shpreh: –
“Unë patjetër e kam një mendim, por tani përpiqem të fokusohem në zhvillimin e marrëdhënieve tona me Serbinë, në mënyrë që të realizohet partneriteti për të cilin jam i bindur se mund të bëhet”