Kosova
Vuçiç e quan TRUK hapin e Qeverisë së Kosovës për asociacionin në Kushtetuese
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, e ka quajtur vetëm “një truk” dërgimin e draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe me 10 maj në Gjykatën Kushtetuese nga Qeveria e Kosovës si hap ky që i dëshmon komunitetit ndërkombëtar përkushtimin e Prishtinës zyrtare për ta themeluar Asociacionin për serbët e Kosovës.
Ai, duke folur për Radiotelevizionin e Serbisë, tha se qeveritë në Kosovë nuk e kanë formuar Asociacionin prej një dekade dhe prapë nuk do ta bëjnë.
Vuçiç, përkundër lobimit të Serbisë, deklaroi se Asambleja e Përgjithshme e Këshillit të Evropës me siguri se do ta shtyjë perpara procesin e anëtarësimit të Kosovës, por beteja e vërtetë është ne datën 16 maj kur votojnë ministrat e shteteve anëtare që është dhe hapi përfundimtar i anëtarësimit.
“Tani kanë bërë një truk të ri dhe unë dua t’ua tregojë qytetarëve – pra më 10 maj do të thonë se aktin që evropianët e kanë miratuar do ta referojnë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë. A nuk do t’u mjaftonte disave kjo që të thonë se ka filluar procesi për Asociacionin, por në fakt asgjë nuk është iniciuar, dhe thonë se kjo është arsyeja që ne të votojmë Kosovën në Këshillin e Evropë. Pra, kjo është ajo që do të ndodhë”, ka deklaruar Vuçiç.
Nga ana tjeter, në letrën e përbashkët që Kryeministri Albin Kurti, Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca i kanë dërguar raportueses Dora Bakoyanis, janë zotuar se në mirëbesim do ta thamelojnë “sa më shpejt që është e mundur” Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
Bakoyanis kishte vendosur si kushte në raportimin e saj për vlerësimin rreth anëtarësimit të Kosovës në KiE që Kosova para mbledhjes së Komitetit të ministrave në KiE të bëjë “hapa substancialë dhe të prekshëm” drejt themelimit të Asociacionit.