Kosova
Do ta HUMBASIM Kosovën, nëse nuk e marrim me vete, Lajçak paralajmëron BE-në
I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak, tha se zgjerimi i Unionit është një nevojë gjeopolitike që Bashkimi Europian të jetë më i fortë dhe më elastik, dhe vuri në dukje se nuk ka një nxitje më të fortë për zgjidhjen e çështjeve të hapura, si p.sh. marrëdhëniet mes Beogradit dhe Prishtinës apo çështja e Bosnjë-Hercegovinës, se sa një perspektivë e qartë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Në konferencën “Ballkani Perëndimor në BE”, Lajçak theksoi se të gjithë janë në një epokë të vështirë në të cilën mungojnë rregullat dhe arkitektura globale pas Luftës së Dytë Botërore nuk funksionon më.
Siç tha ai, mungesa e autoritetit global, i cili mund të ndalojë proceset negative, inkurajon “disa lojtarë” që t’i zgjidhin gjërat në mënyrë të njëanshme, duke mos respektuar rregullat.
“Kjo është një situatë e re për të gjithë ne. Agresioni rus kundër Ukrainës është situata më e dukshme dhe më tragjike,” theksoi Lajçak.
Ai vuri në dukje se nuk ka asnjë përpjekje për të përcaktuar rregulla të reja që do të ishin në përputhje me shekullin 21.
“Të gjithë ankohen, por nuk ka asnjë iniciativë reale për këtë” – deklaroi Lajçak
Kjo, theksoi ai, është reflektuar edhe në qëndrimin ndaj Ballkanit Perëndimor.
“Ne e kuptuam se nuk mund të përballonim më që ta mbajmë këtë rajon në zonën gri. Zgjerimi tani shihet si një nevojë gjeopolitike që BE të jetë më e fortë dhe më elastike,” – theksoi Lajçak.
Duke iu referuar rezultateve të Eurobarometrit, ai tha se shumica e qytetarëve të vendeve anëtare kanë një pikëpamje pozitive për zgjerimin, që do të thotë se ekziston mirëkuptimi gjeopolitik. Megjithatë, ai ka vërejtur se pavarësisht mirëkuptimit, ekziston edhe pamundësia e përparimit.
Ai tha gjithashtu se nuk ka nxitje më të fortë për zgjidhjen e çështjeve të hapura, siç është Bosnja dhe Hercegovina dhe marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, sesa një perspektivë e qartë për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe shtoi se liderët në Union dhe në rajon kanë një përgjegjësi të madhe që “të mos humbasin vrullin”.
“Duhet të kapërcejmë frikën e zgjerimit, ne kemi futur rregulla në BE dhe po e vështirësojmë fillimin e procesit” – theksoi emisari
Ai tha gjithashtu se është e rëndësishme që BE-ja të kuptojë se zgjerimi është rrugë e dyanshme.
“Ne nuk po e bëjmë këtë vetëm për Ballkanin Perëndimor, por edhe për vete. Nëse besojmë se BE-ja është një lojtar global, atëherë Ballkani Perëndimor është një rajon ku ne mund të kemi ndikim. Dhe do të vijë koha kur do të kemi për të folur për një rend të ri, do të jetë e nevojshme që BE-ja të jetë një lojtar global, i respektuar, por për këtë duhet të kemi pranë Ballkanin Perëndimor”- potencoi Miroslav Lajçak.