Bota
Britania në hapat e SHBA-së, miraton paketën më të madhe të ndihmës ushtarake për Ukrainën
Mbretëria e Bashkuar ka zbuluar planet për të ofruar paketën më të madhe të ndihmës ushtarake britanike për Ukrainën. Kryeministri Rishi Sunak do të zbulojë zyrtarisht planin e ri të ndihmës kur të udhëtojë në Varshavë të martën për bisedime me homologun e tij polak, Donald Tusk.
Paketa vlerësohet në 617 milionë dollarë dhe do të përfshijë më shumë se 400 automjete, 60 varka dhe një numër të pazbuluar raketash me rreze të gjatë veprimi “Storm Shadow”, tha zyra e Sunak në një deklaratë , duke e quajtur atë “ndihmën më të madhe ndonjëherë” të municioneve”.
Njoftimi britanik erdhi pasi SHBA pritet të miratojë një paketë ushtarake dhe ndihme prej 61 miliardë dollarësh për Kievin në Senat pasi Dhoma e përfaqësuesve i dha miratimin e parë.
“Mbrojtja e Ukrainës kundër ambicieve brutale të Rusisë është jetike për sigurinë tonë dhe për të gjithë Evropën,” pohoi Sunak. “Nëse Putini lejohet të ketë sukses në këtë luftë agresioni, ai nuk do të ndalet në kufirin polak”, theksoi ai.