OPINION
Kush po e drejton botën?
Ditmir Bushati bisedoi në podcastin e tij Public Square me Ian Bremmer, një shkencëtar politik mjaft i spikatur, jo vetëm në SHBA, por edhe jashtë saj. Bremmer është president themelues i kompanisë “Eurasia group”, një kompani konsulence, e cila merret me analizimin e risqeve në mbarë botën. Ian, në të njëjtën kohë, është edhe themelues e drejtues i medias digjitale “GZERO”
Bushati dhe Bremmer diskutuan mbi cështje të rëndësishme të cilat janë kryefjalë e opinionit publik ndërkombëtar, duke nisur nga beteja presidenciale Biden-Trump në SHBA, e cila do të jetë përcaktuese për disa konflikte dhe për mjedisin e ri gjeopolitik, por edhe cështje që kanë lidhje me demokracrinë, me sundimin e së drejtës, me ekonominë, me inteligjencën artificiale dhe zhvillimet e vrullshme teknologjike, me rolin e organizatave ndërkombëtare, me rolin e kompanive ndërkombëtare, dhe ndikimin që ato kanë në sjelljen njerëzore, politike, ekonomike, shtetërore dhe jo vetëm.
Biden apo Trump? Cfarë duhet të presim prej tyre?
Bushati dhe Bremmer diskutojnë mbi procesin zgjedhor të muajit nëntor në SHBA të cilat kanë rezervuar një ripërballe Biden-Trump. Bashkëbiseduesit bien dakord që këto zgjedhje kanë një ndikim të madh, si në planin e brendshëm ashtu dhe në rrafsh ndërkombëtar. Në planin e brendshëm, kjo garë do të shoqërohet me një mjedis disinformimi dhe disinformimi të perceptuar, ku amerikanët nuk pranojnë shumicën e gjërave që dëgjojnë nga pala tjetër kundërshtare në politikë. Është një betejë shumë e ashpër, ku shumica e amerikanëve gjithnjë e më shumë nuk besojnë te vlerat dhe institucionet që përfaqëson vendi i tyre.
Bushati dhe Bremmer diskutojnë mbi atë cfarë do të ndodhë në Europë dhe më tej dhe në Azi, nëse fitues i këtyre zgjedhjeve rezulton ish-Presidenti i SHBA-ve. Sipas Bremmer, do të ketë shumë më tepër mungesë stabiliteti, paqëndrueshmëri, pasiguri nga shtetet më të fuqishme të botës.
Sipas tij, katër janë frontet kryesore të tensionit gjeopolitik që do të vijnë nga zgjedhja e Trumpi-it, mbi të cilat ai do të vendoste shumë më tepër presion ndaj secilit prej tyre. Në rastin e Lindjes së Mesme, ka më shumë mundësi që rezultatet të jenë në favor të SHBA-ve. Në rastin e Europës dhe Ukrainës, ka më shumë mundësi që rezultatet të jenë kundër SHBA-ve dhe NATO-s. Kina është tërësisht një mister. Gjithçka mund të ndodhë. Kina mund të përfundojë në një luftë shumë më të madhe me SHBA-në, ose me një ekonomi më të dobët. Dhe me një Azi në një mjedis gjeopolitik sfidues, ata mund të tërhiqen në përpjekje për të gjetur një mënyrë për ta pranuar situatën dhe për t’i mbajtur marrëdhëniet të stabilizuara.
NATO këtë vit shënon përvjetorin e 75-të të themelimit dhe Bushati e Bremmer bien dakord që viti i shkuar ka shënuar kulmin e kësaj aleancë në dekada. NATO po dobësohej përpara se Rusia të pushtonte Ukrainën në vitin 2022. Pavarësisht se lufta filloi në vitin 2014, europianët nuk po shpenzonin, dhe sigurisht nuk po angazhoheshin për ta bërë Ukrainën apo Gjeorgjinë pjesë të NATO-s në një të ardhme të afërt. Rusia e shfrytëzoi këtë gjë. Më pas, Rusia bëri atë gjë që nuk duhej ta kishte bërë kurrë. Sun Tzu ka thënë: “Mos e ndërprit kundërshtarin teksa është duke bërë gabime”. NATO po dobësohej, kishte më pak mbështetje, Franca po fliste për autonomi strategjike, Trump po thoshte se ndoshta nuk duhej të angazhohej më në aleancë, dhe më pas Putin pushton Ukrainën, gjë që e bashkoi NATO-n. Kjo bëri që Suedia dhe Finlanda të donin t’i bashkoheshin NATO-s. Kjo situatë bëri që të gjithë të shpenzonin më shumë, bëri që Gjermania të fliste për një Zeitenëende (pikë kthese). Por, vijon Bremmer, dy vite më vonë, Rusia ka më shumë vëmendje ndaj Ukrainës, janë më të duruar dhe të gatshëm të durojnë më gjatë, sesa më shumë – jo të gjithë – por më shumë aleatë të NATO-s. Fatkeqësisht, në vitin 2024 nuk po shikojmë atë pikën kulmore të NATO-s që pamë në vitin 2023.
Komunitet i mbrojtjes së BE-së?
Bremmer beson se Bashkimi Europian ekziston si një komunitet politik, është eksperimenti më i suksesshëm i qeverisjes mbikombëtare në botë, në ditët e sotme, por shpreh rezerva nëse do të jetë po kaq i suksesshëm me ngritjen e komitetit të mbrojtjes. Sipas tij, komuniteti është më i fortë pas reagimit ndaj krizave, si Brexit, pas reagimit ndaj pandemisë, përgjigjen ndaj pushtimit të Ukrainës nga ana e Rusisë apo politikave të përbashkëta të energjisë. Por, për sa i përket mbrojtjes, kjo është diçka e vonuar dhe e paktë. “E parë në përgjithësi, ky është një hap i mirëpritur për të përforcuar aftësitë në fushën e mbrojtjes të Europës. Unë jam skeptik se thirrjet për një komision për mbrojtjen do të jenë të mjaftueshme për të bërë një ndryshim të rëndësishëm, edhe pse ato do të bëjnë ndryshime të vogla, kur flasim për të ardhmen e Ukrainës, apo kur flasim për të ardhmen e NATO-s. Nuk mendoj se kjo do të jetë një nga sukseset përkrah sukseseve të tjera që përmenda”.
Siguria e ekonomia globale dhe rendi digjital
Bushati dhe Bremmer ndajnë mendimin se SHBA-të janë fuqia dominuese e sigurisë në nivel global, si i vetmi vend në botë që mund të projektojë pushtetin e tij ushtarak në të gjithë botën. Por rendi ekonomik është një rend me shumë pole, me një sërë polesh që ndryshojnë ndikimin e tyre relativ. SHBA-të, Kina, BE-ja, por edhe India po bëhet më e rëndësishme. Në vitin 2030, ajo do të jetë ekonomia e tretë më e madhe. Japonia, gjithashtu. Një rend me shumë pole, ku askush nuk mund të dominojë, me shumë aleanca që zhvendosen. Por, më pas kemi edhe një rend digjital që po dominohet gjithnjë e më shumë nga kompanitë teknologjike. Dhe teknologjia po lëviz shumë më shpejt sesa qeverisja dhe aftësia për ta drejtuar atë. Ne ende nuk po i mendojmë kompanitë teknologjike si aktorë gjeopolitikë, por ato janë të tilla. Ato po bëhen të tilla gjithnjë e më shumë. Dhe kjo është veçanërisht e vërtetë me revolucionin e inteligjencës artificiale. Rrjedhimisht, kjo është një periudhë veçanërisht entuziaste për gjeopolitikën, por me shumë gjasa një periudhë e rëndësishme për Perëndimin.
Teksa bien dakord që inteligjenca artificiale është një faktor dominues që mund të jetë një forcë pozitive, por mund të ketë edhe pasoja shumë të rënda, Bushati dhe Bremmer shprehen se SHBA-të dhe Kina janë dy fuqi dominuese në botë që kontrollojnë inteligjencën artificiale. Megjithatë nuk është e qartë nëse qeveritë do të kenë një rol të madh në vendimmarrje. Në SHBA kjo është e paqartë. Por, vendimarrja politike mund ta pengojë Kinën që të bëhet një aktor i nivelit botëror për inteligjencën artificiale, pasi Kina është e shqetësuar për atë që mund të bëjë inteligjenca artificiale me qytetarët e saj, duke prishur regjimin autoritar. Dhe nuk është e qartë nëse SHBA-të dhe Kina do të jenë dy fuqitë dominuese në inteligjencën artificiale. Ose nëse do të mendojnë për të më shumë në një mënyrë të fragmentarizuar, me një numër të madh aktorësh që nuk janë shtete, të cilët qeveritë nuk do të mund t’i kontrollojnë. Dhe nëse kjo gjë do të bëhet një realitet, rolet e qeverive në SHBA dhe Kinë do të jenë të kufizuara. Ato nuk do të mund të jenë vendimmarrëse.
OPINION
“SPAK-u, sëpata që pret nga dy tehet”/ Analisti: Goditjet mbi emisarët e krimit të organizuar
SPAK-u, sëpata që pret nga dy tehet – Nga Lorenc Vangjeli
SPAK-u është shndërruar në një sëpatë me dy tehe. Vret e pret në viset e politikës, administratës së lartë e pushtetit lokal dhe pret e vret edhe në trojet e helmuara në krimit të organizuar. Në pamje të parë duket se nami e batërdia po ndodh me tehun dhe shënjestrën e parë, por në Tiranë dukja gënjen gjithmonë. Goditjet mbi emisarët e krimit të organizuar, përtej çdo gjëje tjetër, janë sinjali i një strategjie të dukshme, për suksesin e të cilës është ende herët të flitet, por pasojat e saj direkte, janë një ogur i mbarë për shëndetin e politikëbërjes së nesërme: Po spastrohet fusha elektorale nga ndikimi i segmenteve të krimit në zgjedhje.
Një listë e pafundme me emra nën hetim, një pjesë në arrest, të tjerë në arrati dhe pothuaj të gjithë nën peshën e frikës, tanimë e ka humbur Eldoradon e tyre shqiptare dhe po humbet vlerën e saj si ofertë për ndikim në politikë. Pjesë të legjendës urbane të krijuar rreth tyre si rezervuarë të pasosur votash, të njohur për bëmat dhe gjëmat nga publiku, bejlerë arrogantë në çifligjet e tyre lokale, “bankierë” dhe sponsorizues të listave të pabesueshme me njerëz publikë në Tiranë, ata kanë kohë që janë dëshmuar si një pol jashtëzakonisht i rëndësishëm në shoqëri. Të pasur përtej përfytyrimit, herë diktues dhe kontrollues të trafikut të drogës, herë fajdexhinj që kreditojnë hallexhinj apo dhe biznesmenë që fitojnë tendera me kobure, miq që shkëmbejnë favore me njëri-tjetrin dhe armiq që shpërndajnë plumba e tritol ndaj njëri-tjetrit, ata tashmë kanë radhën të provojnë në lëkurë fatin e kthyer kundër tyre. Të egër dhe të pamëshirshëm, me një tentativë konstante për të hyrë në biznesin “normal” e për t’u shndërruar në biznesmenë në Shqipëri, shpesh pothuaj krejt analfabetë, ndryshe nga “kolegët” e tyre në Perëndim që përgjithësisht zgjedhin hijen në publik, ata kanë rrëmbyer vëmendjen provinciale të Tiranës duke demonstruar e duke u lëvduar me pasurinë gjigante apo të dashurat e famshme, makinat apo udhëtimet, ndikimin në politikë, në ekonomi apo në drejtësi. Për të arritur në ditën kur veç e veç e të gjithë bashkë, do të nisin të vërtetojnë për veten një aksiomë ndërkombëtare: Asnjë bandit nuk bëhet dot gjysh! Asnjë bandit nuk arrin moshën e pensionit! Përdorues dhe të përdorur nga segmente të politikës, në mos lufta brenda llojit, goditja e ligjit, po bën që jeta e tyre e shkëlqyeshme, mes luksit dhe vanitetit qesharak që kanë zgjedhur të bëjnë, të shuhet shpejt.
Falë dekriptimit të komunikimeve të tyre të dikurshme, gjithë jetëshkrimi i tyre është tashmë një “ditar” i lexuar nga shumëkush dhe jo vetëm në shqip. Në këtë lloj ditari të zi gjen konfliktet dhe miqësitë mes tyre, vrasjet dhe vëllazëritë, punët e kryera dhe aleancat me personazhe të rëndësishëm të politikës, por dhe policisë, provat e korruptimit të dhe bashkëjetesës hibride me shtresa të ndryshme të shoqërisë. Pronarët më të mëdhenj realë të Real Estate-s në Shqipëri dhe gjetkë, zotërues apartamentesh, vilash e trojesh të pafundme, ata janë gjithashtu posedues të një sasie të frikshme cash-i, i pamundur për t’u llogaritur, por përtej masës që mund të lëkundë edhe ekuilibrin makroekonomik të vendit. Deri më sot, në bashkëjetesën kriminale të tyre me segmente të politikës, të sistemit gjyqësor, të policisë dhe më gjerë, ata kanë qenë çakalli që ka bërë kërdinë kur vëmendja e publikut ulërinte për ujqërit e foltoreve politike.
Të pafuqishëm për të ndaluar, kontrolluar dhe devijuar goditjen dy tehëshe, segmente të politikës në veçanti dhe krimi në përgjithësi, tani po ballafaqohen me goditjen seriale për të spastruar fushën elektorale për zgjedhjet e ardhshme nga ndikime kriminale.
Eshtë urgjencë kombëtare dhe çështje e sigurisë kombëtare që të shprishet përfundimisht simbioza e frikshme mes politikës dhe krimit. Kush duhet të ikë në fillim në këtë marrëdhënie si ajo mes pulës dhe vezës, në dilemën kush shpiku kë? Me të gjitha gjasat, në politikën që e votojnë shqiptarët, por nuk e zgjedhin, nuk janë më shumë se një duzinë me njerëz politikë që kanë realisht peshë publike. Të tjerët peshojnë më pak se një qime mjekre dhe shtrydhen më lehtë se një puçër shpine. Në botën e krimit është ndryshe. Ata janë shumë më shumë dhe shumë më të vështirë për t’u goditur. Duke nisur me ta, duke sekuestruar paratë dhe rezidencat e krimit, simbioza krim-politikë që i merr frymën vendit, mund të mbetet pa frymë.
Përtej dyshimeve se çdo të ndodhë nesër, kohët kanë ndryshuar. Kush nuk e kupton, ka kohë ta kuptojë edhe më pas, qoftë në rolin e spektatorit skeptik të llojit: “Ky vend nuk bëhet!”, qoftë në rolin e protagonistit që duhet të përgatisë triko të bollshme leshi për dimrin që këtë vit po vjen shumë më herët në Shqipëri. Aty ku Real Estate i burgjeve, po mbushet me viktima të sëpatës me dy tehe.
OPINION
Fitorja shqiptare në Maqedoninë e Veriut
Nga Arber Cejku
OPINION
‘Kryeministri i shikon vartësit si minj’/ Reagim i fortë nga Endi Tafani
OPINION
Çfarë na kanë mësuar tragjeditë si ajo e Shkodrës
Çfarë na kanë mësuar tragjeditë si ajo e Shkodrës
1. Ajo që thuhet ditën e parë është e paplotë. Komunikatat, lajmet dhe deklaratat e ditës së parë janë shpesh kontradiktore dhe rrallë “qëllojnë në shenjë”.
2. Nuk ka vetëm një shkak. Tragjeditë rrallë kanë një arsye të vetme. Fokusi vetëm te një shkak çon në shpjegime të thjeshtëzuara dhe të mangëta.
3. Reagimi politik dhe institucional mbetet vetëm në nivel retorike. Përgjigja nga politikanët dhe institucionet shpesh mbetet te fjalët, me deklarata ku dënohet dhuna, apo me thirrjet për ndëshkim nga drejtësia.
4. Etika, është gjëja e fundit që i shkon në mendje medias. Në ngutin për të raportuar mbi një tragjedi, sensacionalizmi merr përparësi ndaj etikës. Fotot, videot, raportimi i detajuar apo edhe spekullativ ndikon jo vetëm te familjarë e përfshirë në tragjedi.
5. Rrënjët e krizës familjare, shoqërore, institucionale dhe politike mbeten të pa analizuara.
6. Reagimi opinionit, i shpejtë por sipërfaqësor. Pas një tragjedie, shpesh ka një valë empati dhe solidariteti, por kjo valë fillestare zbehet shpejt. Vëmendjen e opinionit e marrin “skandalet e radhës”
7. Ekspertët flasin, por nuk degjohen? Në ngjarjen e Shkodrës disa ekspertë (psikologë dhe sociologe) analizuan shkaqet dhe dhanë një tablo më të gjerë të rrënjëve të tragjedisë. Fatkeqësisht, nuk i dëgjon kush deri në tragjedinë e radhës.
8. Përgjegjësia mungon—Fillimisht, bëhen thirrje për përgjegjësi dhe drejtësi. Por me kalimin e tri ditëve prozhektorët e medias kalojnë në skandalin e radhës dhe zelli për të gjetur përgjegjësit tretet si vesa mëngjesit.
9. Fatalizmi i pa shmangshëm. Kur mbetesh te konstatimi dhe te veprimet “më ka çu nona me la gojën”, nuk ka asnjë shpresë për ndryshim.
10. Në pritje të tragjedisë së radhës. Në mungesë të reflektimit dhe veprimit tragjedia e radhës është çështje kohe.
OPINION
“Veliaj është gati t’i japë SPAK-ut edhe godinën e Bashkisë, veç mos e arrestojnë”
Jurisati Ylli Manjani ka ironizuar deklaratën e djeshme të kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj në një prej televizioneve të tij, ku tha se ka bërë shumë për SPAK, duke e ndihmuar me dhënien e godinës së ish-Ujësjelljësit, në mënyrë që “kolegët e BKH-së, të punojnë në kushtet njerëzore”.
Në një reagim në rrjetet sociale, Manjani shkruan me ironi se Veliaj është i gatshëm t’i dhurojë edhe godinën e Bashkisë së Tiranës, SPAK-ut, vetëm që ata të mos e arrestojnë.
“Jo godinën e ujësjellësit por edhe godinën e bashkisë i jep SPAK-ut në këto momente AliBabVeliaj.
Mor po del në zyrë me qera në Vorë po qe nevoja, veç mos e arrestojnë…”, shkruan Manjani.
-
Kronike2 hours ago
E rëndë/ Kamioni del nga rruga, drejtuesi përfundon në spital
-
Pinknews5 hours ago
Ekskluzive/ Ju prezantojmë me partnerin e Françeska Muratit
-
Pinknews5 hours ago
“Do të vish te shtëpia ime”/ Heidi refuzon ftesën e Romeos për të jetuar së bashku: Idjot…
-
Aktualitet4 hours ago
E pazakontë në Durrës/ Turisti del nudo në qendër të qytetit dhe bën fotografi
-
Shkrime9 hours ago
Nesër do jetë ditë e vështirë, vuloset e ardhmja e Kosovës
-
Pinknews5 hours ago
Një Luan si Heidi Baci, banorja me vetëbesimin më të lartë në “BBV3”
-
Kronike2 hours ago
Romancë me vrasësin famëkeq shqiptar? Modelja e njohur del në dosjen e SPAK
-
Horoskopi16 hours ago
Do keni shume dyshime mbi partnerin tuaj sot dhe do debatoni gjate gjithë kohës me te