Politike
Vizita në SHBA, Rama me diasporën në Michigan: S’jemi më vend mbijetese, por shprese
Kryeministri Edi Rama e ka nisur vizitën e tij në Shtetet e Bashkuara me një takim me komunitetin shqiptar në Michigan, përpara angazhimeve të tij në kuadër të javës së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.
Gjatë fjalës para shqiptarëve të Michiganit, Rama u ndal te ndryshimet që, sipas tij, kanë ndodhur në Shqipëri gjatë viteve të fundit. Ai solli si shembull simbolik edhe flamingon, duke iu referuar debatit që prania e këtij shpendi ka nxitur në Shqipëri për mjedisin, ekonominë dhe zhvillimin.
Rama deklaroi se shqiptarët nuk jetojnë më me logjikën se “ka dhe më keq”, por sipas tij, kërkojnë gjithnjë e më shumë që gjërat të bëhen më mirë.
Një pjesë të rëndësishme të fjalimit ia kushtoi diasporës shqiptare. Kryeministri tha se marrëdhënia mes emigracionit dhe Shqipërisë ka ndryshuar, duke argumentuar se diaspora nuk duhet të shihet vetëm si burim remitancash.
Sipas Ramës, familjet shqiptare nuk varen më në të njëjtën mënyrë nga paratë e dërguara nga emigrantët për nevoja bazë, ndërsa theksoi se diaspora përbën një rrjet të gjerë njerëzish që vijojnë të jenë të lidhur me vendin.
Kryeministri foli edhe për strategjinë “Shqipëria 2030”, ku, sipas tij, diaspora do të ketë një rol të rëndësishëm. Ai njoftoi se po krijohet Regjistri Kombëtar i Diasporës, i cili synon të shërbejë si një pikë lidhëse mes shqiptarëve jashtë vendit dhe institucioneve në Shqipëri.
Rama e cilësoi diasporën edhe si një lloj matësi të ndryshimit në Shqipëri, duke argumentuar se shqiptarët që jetojnë jashtë vendit e shohin më qartë rezultatin e transformimeve, pasi nuk përballen drejtpërdrejt me proceset dhe punimet në zhvillim.
Një tjetër njoftim i rëndësishëm ishte ai për hapjen e një konsullate shqiptare në Michigan. Rama tha se qeveria është gati të ndërmarrë këtë hap, në mënyrë që komuniteti shqiptar të ketë më pranë shërbimet konsullore.
Në fjalën e tij, kryeministri u ndal edhe te zhvillimi i transportit ajror. Ai deklaroi se aeroporti i Tiranës ka shënuar ritmin më të lartë të rritjes në rajon dhe se, sipas tij, ka kaluar Beogradin për numrin e pasagjerëve.
Rama foli gjithashtu për procesin e integrimit europian, duke deklaruar se Shqipëria ka hapur të gjithë kapitujt e negociatave dhe tashmë po hyn në fazën e mbylljes së tyre. Sipas tij, objektivi është që procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian të përfundojë deri në vitin 2030.
Kryeministri përmendi edhe organizimin në Shqipëri të samitit të ardhshëm të NATO-s, duke e paraqitur këtë si një tregues të rolit që, sipas tij, vendi ka marrë në skenën ndërkombëtare.
Një pjesë e fjalës iu kushtua edhe Kosovës dhe vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Rama tha se Shqipëria do të vijojë t’i qëndrojë në krah Kosovës, ndërsa shtoi se institucionet e Kosovës duhet të përcaktojnë mënyrën e reagimit ndaj vendimit.