Thinking ...
Connect with us

Kronike

Vrasja e Artan Myrtajt në Sarandë, 13 gëzhoja dhe 20 dëshmitarë në sitën e hetuesve

Detaje të reja dalin nga hetimet për vrasjen e Artan Myrtajt në Sarandë, ndërsa policia vijon punën për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e motivit të atentatit.

Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar rreth 13 gëzhoja të kalibrit 9 milimetra. Provat po analizohen nga grupi hetimor për të rindërtuar dinamikën e sulmit dhe mënyrën e veprimit të autorëve.

Në kuadër të hetimeve janë marrë në pyetje rreth 20 persona që ndodheshin në zonë në momentin e atentatit. Dëshmitë e tyre po verifikohen për të evidentuar çdo lëvizje të dyshimtë para dhe pas vrasjes.

Një tjetër element i rëndësishëm janë kamerat e sigurisë. Policia ka siguruar pamjet e një pjese të kamerave në qytet, të cilat po analizohen për të gjurmuar lëvizjet e autorëve dhe rrugën e largimit të tyre. Ndërkohë, vijon puna për sigurimin e pamjeve të tjera që mund të ndihmojnë hetimin.

Kontrollet janë shtrirë edhe në akset dalëse të Sarandës, ku janë ngritur postblloqe dhe po kryhen verifikime për persona dhe automjete që mund të kenë lidhje me ngjarjen.

Sa i përket motivit, hetuesit ende nuk kanë një përfundim zyrtar. Një nga pistat që po verifikohet është ajo e një atentati të kryer nga vrasës me pagesë.

Në fokusin e hetuesve është edhe një konflikt i mëparshëm, për të parë nëse vrasja e Myrtajt mund të ketë lidhje me përplasjet e nisura pas një ngjarjeje të korrikut të vitit të kaluar, ku Ernest Lama dhe Gëzim Hajdaraj mbetën të plagosur me armë zjarri.

Megjithatë, lidhja mes dy ngjarjeve mbetet një pistë hetimi dhe nuk është konfirmuar zyrtarisht nga policia.

Autorët e vrasjes vijojnë të jenë të paidentifikuar, ndërsa hetimet po zhvillohen në disa drejtime për zbardhjen e plotë të atentatit.

Advertisement