Kosova
Ndarja e Kosovës mbi tavolinë, alarmon eksperti amerikan: Është e vështirë të imagjinohet se…
Çështja e shkëmbimit të territoreve është një nga temat më të ndjeshme për Kosovën, që u ri-aktualizua së fundi dhe kujtojmë se ajo pati gjetur mbështetje në administratën e ish-presidentit amerikan Donald Trump, por edhe tek përfaqësues të Bashkimit Evropian. Ndërkaq, përpos në Kosovë, u kundërshtua fuqishëm nga Gjermania dhe Britania e Madhe.
Në Forumin e Paris, kryeministri Kurti ka thënë se qëllimi i përhershëm i Serbisë është ndarja e Kosovë dhe argument për këtë ka përmendur sulmin në Banjskë, nga grupi paraushtarak serb.
Ai tha edhe se me grupin paramilitar, Serbia ka dashur të shkaktojë përshkallëzim të situatës në veri, deri në kaos, në mënyrë që të ketë mundësi te fusë ushtrinë e saj në Kosovë.
E së fundmi për këtë çështje ka folur gjithashtu Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, e cila ka deklaruar se ideja e shkëmbimit të territoreve apo ri përcaktimit të kufijve mund të çojë në një luftë të re në Ballkanin Perëndimor.
Në lidhje me këtë temë ka folur eksperti amerikan Alon Ben Meir. Ai i dha të drejtë Gërvalles, duke shtuar që shkëmbimi i territoreve nuk do të bëhet asnjëherë me dëshirë nga Kosova dhe kjo do të arrijë të sjellë konflikte të reja.
Më tej, eksperti amerikan përmendi disa nga shqetësimet nëse një gjë e tillë me territoret realizohet. Sipas tij, është vështirë të imagjinohet se çfarë do të ndodhte nëse një shkëmbim i tillë do të bëhej.
“Kur ideja e shkëmbimeve territoriale u përfol në vitin 2018, ajo u prit me kujdes dhe shqetësim. Karin Kneissl, ministrja e jashtme austriake në atë kohë, tha:
“Unë nuk dua të jap leksione, por ndryshimet e kufijve kanë sjellë gjithmonë probleme” kurse homologu i saj nga Luksemburgu, paralajmëroi rreziqe të mundshme nga ‘prerja e gjërave në copa’. Aktualisht, ka tetë mosmarrëveshje kufitare në Ballkan, secila me kompleksitetin dhe potencialin e vet për përshkallëzim: Gjiri i Piranit, një kufi detar midis Sllovenisë dhe Kroacisë; gadishulli i Prevlakës, i kontestuar nga Kroacia dhe Mali i Zi; Kufiri i Kosovës me Serbinë, pasi kjo e fundit ende pretendon të parën si territor të saj; Backa Palanka, pranë një zone të pretenduar nga Kroacia dhe Serbia; tre vende të kontestuara në kufirin boshnjak-serb: Manastiri Prohor Pçinjski, i pretenduar nga Serbia dhe Maqedonia; Neum, një port boshnjak në detin Adriatik me zona të kontestuara nga Kroacia; dhe së fundi, kufiri detar midis Shqipërisë dhe Greqisë.
Është e vështirë të imagjinohet se çfarë do të ndodhte sapo të fillonin shkëmbimet territorial…asgjë përveç kaosit dhe destabilitetit që do të përfshinte rajonin, gjë që duhet shmangur me çdo kusht” – potencoi Alon Ben Meir.