Bota
Kryeministri sllovak akoma në “gjendje të rëndë”pas atentatit
Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, është “në gjendje të rëndë”, pasi u qëllua me armë zjarri derisa po ecte në mesin e një turme të vogël, pas një takimi qeveritar pranë Bratislavës të mërkurën, njoftoi Qeveria sllovake.
Ministria e Brendshme e Sllovakisë e ka cilësuar si “atentat” sulmin me armë zjarri ndaj kryeministrit.
Ministri i Brendshëm sllovak, Matus Sutaj Estok, tha për gazetarë se një hetim fillestar ka gjetur se pas sulmit ndaj Ficos “qëndron një motiv i qartë politik”.
“Nuk ka dyshim për këtë”, tha ministri i Mbrojtjes Robert Kalinak.
Kalinak, aleat i ngushtë i Ficos, tha se mjekët po luftojnë për jetën e kryeministrit. Duke folur në një konferencë për media të mërkurën mbrëma, ai tha se Fico është duke u operuar dhe e përshkroi gjendjen e tij si “jashtëzakonisht të rëndë”.
Policia nuk e ka komentuar rastin ende.
Fico, një politikan veteran në Sllovaki që u rikthye për t’u bërë kryeministër për herë të katërt pasi partia e tij Smer i fitoi zgjedhjet shtatorin e kaluar, kishte dalë nga një takim i Qeverisë së tij në qytetin Handlova, gati 200 kilometra në verilindje të kryeqytetit sllovak, kur një burrë i armatosur iu afrua dhe e qëlloi.
Dëshmitarët thanë se u dëgjuan katër të shtëna me armë zjarri.
“Sot, pas takimit qeveritar në Handlova, pati atentat ndaj kryeministrit të Republikës së Sllovakisë, Robert Fico”, tha Qeveria në një komunikatë, duke shtuar se ai ishte transportuar me helikopter në qytetin afër, Banska Bistrica “në gjendje të rëndë, sepse do të merrte shumë kohë për ta dërguar në Bratislavë, për shkak të një intervenimi të nevojshëm akut”.
Nuk është bërë e ditur se çfarë plagësh ka pësuar ai, por disa media lokale raportuan se ai u qëllua në stomak dhe në dorë.
Nënkryetari i Parlamentit të Sllovakisë, Lubos Blaha, konfirmoi incidentin fillimisht gjatë një seance parlamentare, të cilën e shtyu për datë të papërcaktuar, njoftoi agjencia sllovake e lajmeve, TASR.
Gazetarët, të cilët ishin në vendin e ngjarjes, thanë se u dëgjuan disa të shtëna me armë.
Një video shfaq Ficon duke u futur nga rojet e sigurisë me nguti në një veturë, e cila u largua me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Policia shihet gjithashtu duke e arrestuar një person, i cili besohet të jetë i dyshuari.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, u shpreh i “alarmuar” nga lajmet për sulmin ndaj Ficos.
“Unë dhe Jill [Zonja e Parë] lutemi për shërimin e tij të shpejtë. Ne e dënojmë këtë akt të tmerrshëm dhune. Ambasada jonë është në kontakt të afërt me Qeverinë e Sllovakisë dhe e gatshme të ndihmojë”, tha Biden në një komunikatë.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha se “lajmi i atentatit qyqar ndaj kryeministrit sllovak Fico më ka tronditur thellësisht. Dhuna nuk duhet të ketë vend në politikat evropiane”.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se ndihet i “tronditur dhe i tmerruar nga të shtënat” ndaj kryeministrit Fico.
“Uroj që ai të ketë forcë për ta rimarrë veten shpejt”, shkroi Stoltenberg në rrjetin social X.
Presidentja e Sllovakisë, Zuzana Caputova, e dënoi sulmin “brutal dhe ta pamëshirshëm” ndaj kryeministrit.
“Jam e tronditur”, tha Caputova.
“Robert Ficos i uroj shumë forcë në këtë kohë të vështirë, si dhe shpresoj se do ta marrë veten shumë shpejt nga ky sulm”, tha ajo.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i uroi shërim të shpejtë Ficos, duke shtuar: “Ne i dënojmë fuqishëm këto veprime të dhunshme që i kërcënojnë vlerat evropiane”.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e quajti sulmin ndaj Ficos si “të tmerrshëm”.
“Duhet të bëhet çdo përpjekje për t’u siguruar që dhuna të mos bëhet model në asnjë vend, asnjë formë e asnjë sferë”, shkroi Zelensky në X.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e dënoi sulmin ndaj Ficos.
“Veprime të tilla të dhunës nuk kanë vend në shoqërinë tonë dhe e minojnë demokracinë, të mirën tonë të përbashkët”, tha ajo.
Ngjarja në Sllovaki ndodhi tre javë para zgjedhjeve vendimtare të Parlamentit Evropian, në të cilat partitë populiste dhe të djathta në bllokun prej 27-vendesh duket se do të arrijnë sukses.
Fico, kryeministër për herë të tretë, dhe se partia e tij e majtë, Smer, i fituan zgjedhjet parlamentare të 30 shtatorit në Sllovaki, duke organizuar një rikthim politik pas një fushate me një mesazh prorus dhe antiamerikan.