Kosova
Barrikadat në Urën e Ibrit/ Zbulohet qëllimi i Vuçiç me serbët e veriut
Avokati serb, Cedomir Stojkoviç ka deklaruar se barrikadat në Urën e Ibrit po u dërgojnë mesazh të rremë serbëve në veri të Kosovës se gjoja “territori i veriut të Kosovës do të integrohet në Serbi dhe jo në Kosovë”. Ai gjithashtu u shpreh se përmes tyre, autoritetet serbe po i mbajnë nën kontroll dhe manipulojnë serbët që jetojnë në veri të Kosovës.
“Kjo është e vetmja arsye pse autoritetet në Beograd duan që ato barrikada të vazhdojnë te ngrihen. Interesi i serbëve nga Kosova nuk është fokusi i tyre. Interesi real i serbëve nga Kosova është që të barazojnë të drejtat e tyre me të drejtat e qytetarëve evropianë dhe kjo mund të arrihet vetëm me hyrjen e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe në të gjitha organizatat ndërkombëtare, si edhe me pranimin e Kosovës dhe Serbisë në Bashkimin Evropian” – ka shkruar ai në platformen X, duke shtuar se mos hapja pengon trashëgiminë e Evropës dhe se mendimet e imponuara nga autoritetet serbe në këtë drejtim, kanë një kosto shumë të madhe.
“Barrikadat në urë i pengojnë këto procese dhe nuk përfaqësojnë as trashëgiminë e Evropës, as trashëgiminë e Bashkimit Evropian, as nuk janë pasqyrim i së ardhmes së dëshiruar as të serbëve në Serbi dhe as të serbëve në veri të Kosovës. Mendimet e gabuara të imponuara nga autoritetet në Beograd në këtë drejtim kanë një kosto të madhe, e cila reflektohet në varfërimin e rajonit, veçanërisht në veri të Kosovës, sepse aty ku është ngrirë konflikti, rri e ngrirë edhe ekonomia. Dhe aty ku ka ende barrikada në ura – ka edhe barrikada për investime dhe zhvillim ekonomik”, potencoi avokati serb.