Politike
Masakra e Qafë Valmirës/ Berisha mban një minutë heshtje për martirët mirditorë
“Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, mirënjohjen time më të pakufishme ju misionareve dhe misionarëve të kauzës së drejtë të shpresës, dinjitetit dhe lirisë së shqiptarëve. Mirënjohje të pakufishme oratorëve të kësaj platforme të fjalës së lirë të qytetarëve shqiptarë. Mirënjohje të pakufishme të gjithë atyre djemve dhe vajzave, burrave dhe grave që ngrihen si guximtarë kundër diktaturës së krimit, drogës dhe vjedhjes së shqiptarëve të Edi Ramës, në Tiranë, në Thumanë, në Maliq dhe kudo tjetër në Shqipëri. Të dashur miq, sot 17 gushti është një ditë në të cilën u martirizuan për t’u bërë të pavdekshëm nga terroristët e regjimit në vitin 1949, 14 burra mirditorë, antikomunistë, atdhetarë, të cilët u ekzekutuan me gjykatë ushtarake për një faj, që ata kurrë nuk e kishin kryer.
Me 17 gusht në Qafë Valmirë, me një gjyq fars të kryesuar nga Bilbil Klosi me urdhër të Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut, u varën në litar ose u ekzekutuan me breshëri 14 atdhetarë mirditorë me akuzën false se ata kishin marrë pjesë në vrasjen e një terroristi tjetër, Bardhok Bibës, i cili u kishte prirë hordhive terroriste të regjimit në Mirditë. E vërteta është se Bardhok Bibën e ekzekutoi me vendim Komiteti i Maleve, i cili luftonte me armë në dorë kundër regjimit komunist terrorist të Tiranës. Dhe ky komitet kishte marrë përsipër botërisht aktin e ekzekutimit të sekretarit të partisë të Mirditës, Bardhok Biba për krimet që kishte kryer ndaj popullit të Mirditës. Ndaj dhe sot le të nderojmë ne me një minutë heshtje martirizimin e Preng Dod Gjomarkaj, i varur në litar, Pjetër Vila, i varur në litar, Dod Mark Biba, i varur në litar, Pjetër Paloka, varur në litar, Nikollë Bardhok Bajraktari, ekzekutuar, Llesh Gjon Mëlyshi, ekzekutuar, Nikoll Lledh Bajraktari, ekzekutuar, Ndrec Mark Ndoji, ekzekutuar, Bardhok Dod Gjini, ekzekutuar, Gjok Gjin Kaçi, ekzekutuar, Gjergj Beleshi, ekzekutuar, Ndoc Çupi, ekzekutuar, Preng Shkurt Nikolli, ekzekutuar, Frrok Mata, ekzekutuar. I përjetshëm mbetet mesazhi i martirëve të Qafë Valmirit,” tha Berisha.