Connect with us

Politike

“Rama vazhdon biznesin me lëndë kimike”, Berisha thirrje OKB-së, NATO-s dhe OSBE-së

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha deklaroi në lidhje me skandalin me mbetjet toksike se kryeministri Edi Rama vazhdon biznesin e tij me lëndët kimike dhe helmuese duke shtuar se lëndë të tilla ç’aktivizohen apo groposen në tunelet e vendit. Berisha tha se PD i bën thirrje OKB-së, NATO-s dhe OSBE-së në një komision hetimor veças apo të përbashkët, të hetojë gjer në fund aferën e 100 kontenierëve me lëndë toksike të eksportuara nga Shqipëria. Ai shtoi se i bën thirrje shoqërisë civile, aktivistëve, mbrojtësve të mjedisit, të mos lejojnë shkarkimin e tyre në portin e Durrësit, pa dalë të gjithë përgjegjësit e këtij akti.

Pjesë nga fjala e Berishës:

Ky akt, ky eksport të cilin autoritetet shqiptare pretendojnë para botës, që nuk e kanë autorizuar dëshmon pasigurinë e plotë dhe totale të këtij vendi, dhe porteve të tij. Dëshmon se njëlloj sikundër eksportohen rreth 100 kontenierë me lëndë toksike, importohen dhjetëra, qindra kontenierë me drogë, helme, lëndë toksike, të cilat flitet se vijnë në Shqipëri për tu ç’aktivizuar dhe groposur.

Pra ekziston një rrumor se Edi Rama vazhdon biznesin e tij me lëndët kimike dhe helmuese, se lëndë të tilla ç’aktivizohen apo groposen në tunelet e vendit. Partia Demokratike dënon me forcën më të madhe këto akte kriminale të papërgjegjësisë ekstreme të narkoqeverisë ndaj qytetarëve dhe u bën thirrje dhe njëherë dhe i bën thirrje OKB-së, i bën thirrje NATO-s dhe OSBE-së në një komision hetimor veças apo të përbashkët, të hetojë gjer në fund aferën e 100 kontenierëve me lëndë toksike të eksportuara nga Shqipëria.

Të gjendet përmbajtja e tyre dhe kush qëndron mbrapa. Një gjë është e sigurtë, se ato nuk janë ngarkuar kurrë pa dijeninë e plotë të autoritetit portal, Piro Vengut dhe Lubi Ballukut dhe Edi Ramës. Prapa këtij akti fshihet veprimtari kriminale biznesi e kupolës së narko qeverisë shqiptare. Ju bëj thirrje shoqërisë civile, aktivistëve, mbrojtësve të mjedisit, të mos lejojnë shkarkimin e tyre në portin e Durrësit, pa dalë të gjithë përgjegjësit e këtij akti të pashembullt, pa zbuluar mirë se kush qëndron prapa këtij akti dhe cilat janë substancat helmuese që përmbajnë kontenierët e eksportuar nga narko qeveria shqiptare.

Advertisement