Kosova
Kurti nuk ka pasur qëllim ta hapë urën në Ibër, por ta hapë këtë çështje si temë
Analisti Visar Imeri beson se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka patur ndërmend të hap realisht urën në Ibër, por vetem ta ngrinte këtë çështje vetëm si temë.
Imeri kujtoi rolin e KFOR-it, misionit paqeruajtës në Kosovë, mandati i të cilit buron nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara përmes Rezolutës 1244 dhe theksoi se mandati i KFOR-it mbetet i fortë dhe i vlefshëm.
Ai shtoi se është harruar që KFOR-i ka mandatin më të fuqishëm në Kosovë.
“Ne nuk duhet te harrojmë se KFOR-i ka një mandat, i cili është pika e vetme me të cilën u pajtua e gjithë bota dhe ai mandat erdhi nga Këshilli i Sigurimit” – deklaroi Imeri, sipas te cilit KFOR-i nuk është prezent për të lehtësuar ndonjë marrëveshje jashtë kornizës së përcaktuar, dhe ka shtuar se besimi i Kurtit se deklarata për hapjen e urës do ta ndryshojë situatën në terren, pasqyron “naivitetin” e tij.
Në një skenar më ekstrem, sipas Imerit, nëse Kurti do të mendonte të hapte urën pa u përballur me një mision paqeruajtës, “kjo nuk e bën atë vetëm naiv, por e bën të rrezikshëm”.
“Nëse ai ka menduar e besuar se me dy-tri deklarata publike, se si urat i bashkojnë njerëzit, mund të ndryshonte mendimin e KFOR-it, kjo e bën atë edhe më naiv. Nëse ai ka menduar se do kundërshtonte KFOR-in dhe do ta hapte urën, kjo e bën të mos vetëm naiv, por edhe te rrezikshëm” – theksoi analisti Visar Imeri, i cili ne kete kontekst u shpreh se argumenti më i fortë mbetet se qëllimi i vërtetë i Kurtit nuk ishte hapja e urës, por hapja e çështjes si temë.
Nga ana tjetër, analisti Imer Mushkolaj shprehu skepticizëm për hapjen e menjëhershme të urës, duke sugjeruar se kjo nuk ka gjasa të ndodhë në një të ardhme të afërt.
Sipas tij, kryeministri Albin Kurti po e shfrytëzon hapjen e urës në Ibër për përfitime elektorale.
“Ura nuk do të hapet. Por Kurti do ta përdorë si justifikim për perfitime elektorale. Nuk besoj se do të hapet, të paktën jo shpejt” – theksoi Mushkolaj