Connect with us

Kosova

Vuçiç kërcënon me ndryshimin e rrjedhës së Ibrit, BE ‘i tregon vendin’

Bashkimi Evropian ka reaguar ndaj deklaratave të zyrtarëve serbë për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër, duke vlerësuar se një retorikë e tillë nuk kontribuon në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Zëdhënësja e BE-së, Anita Hipper, deklaroi më 11 gusht, gjatë një konference për media, se çështjet e hapura mes Prishtinës dhe Beogradit duhet të trajtohen përmes dialogut.

Sipas saj, përparimi në dialogun Kosovë-Serbi mbetet një kusht i rëndësishëm për avancimin e të dyja palëve në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Reagimi i Brukselit vjen pas deklaratave të presidentit serb Aleksandar Vuçiç më 9 gusht, i cili tha se autoritetet në Serbi po shqyrtojnë me ekspertë mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së Ibrit. Vuçiç e lidhi këtë mundësi me çështjen e prishjes së shtëpive dhe vilave të serbëve pranë Liqenit të Ujmanit, në veri të Kosovës.

Deklarata shkaktoi reagime në Kosovë dhe u pasua nga përplasje publike mes zyrtarëve shqiptarë dhe serbë.

Lumi Ibër është rreth 270 kilometra i gjatë. Ai buron në Mal të Zi, kalon nëpër Serbi dhe më pas hyn në Kosovë, ku lidhet me sistemin e Liqenit të Ujmanit. Ky sistem ka rëndësi të veçantë për furnizimin me ujë të disa komunave të Kosovës, ujitjen dhe funksionimin e infrastrukturës energjetike në Obiliq.

Ekspertë të cituar më herët nga Radio Evropa e Lirë kanë vlerësuar se teknikisht devijimi i rrjedhës së lumit është i mundshëm, por do të ishte një projekt jashtëzakonisht i kushtueshëm dhe mund të përballej me probleme serioze ligjore nëse do të shkaktonte dëme në territorin e Kosovës.

Në këtë kuadër, Konventa e Kombeve të Bashkuara e vitit 1997 për përdorimin e rrjedhave ujore ndërkombëtare përcakton parimin e përdorimit të drejtë dhe të arsyeshëm të ujërave ndërkufitare, si dhe detyrimin për të shmangur dëmet e konsiderueshme ndaj shteteve të tjera. Serbia është palë në këtë konventë, ndërsa Kosova nuk është, për shkak se nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara.

Advertisement