Connect with us

Aktualitet

Zbulohet një tjetër skemë mashtrimi në Shqipëri, si po tentohet vjedhja e llogarive bankare

Një tjetër skemë mashtrimi është zbuluar nga policia, përmes së cilës po tentohet që të vidhen të dhënat e llogarisë bankare të qytetarëve shqiptarë.

Policia e shtetit ka bërë apel se duhet të keni kujdes nga përdorimi i aplikacionit “PLINKO”.

“Kohët e fundit, në rrjetet sociale po reklamohen lojëra nëpërmjet të cilave fitohen para. Për ta bërë të besueshme, përdoren videot e njerëzve të famshëm që luajnë këtë lojë, gjë që në fakt është mashtrim.

Nisur nga rastet e shtuara të përdorimit të këtij aplikacioni, kryesisht nga nxënësit, me qëllimin për të fituar para, Policia e Shtetit apelon për prindërit që të tregohen të kujdesshëm, për të mos lejuar fëmijët që të përdorin këtë aplikacion dhe në rastet kur ata e përdorin, të tregojnë kujdes, pasi duke dhënë të dhëna personale dhe të llogarive bankare, mund t’iu tërhiqen para nga llogaria juaj.  MOS JEPNI TË DHENA PERSONALE! MOS JEPNI TË DHËNA TË LLOGARIVE BANKARE!”, njofton policia.

Ndërkohë një ditë më parë një tjetër skemë e ngjashme mashtrimi u zbulua nga autoritetet, duke u kërkuar qyteraëve që të jenë të kujdesshëm për të mos dhënë të dhënat e tyre.

Sipas policisë, janë konstatuar mesazhe të maskuara si ato të kompanisë Meta Platforms, drejt numrave të telefonit, për konfirmimin e të dhënave në rrjetin social Facebook, të lidhura me shërbimin Facebook Ads, (por jo vetëm).

Në këto mesazhe pretendohet verifikimi i llogarive në Facebook ose në të kundërt, llogaria do të mbyllet.

Mesazhet mashtruese kanë si synim orientimin e poseduesve të llogarive drejt linqeve mashtruese me qëllim marrjen në posedim të llogarive të personave të mashtruar, në mënyrë të padrejtë.

Advertisement