Politike
Dalja e fundit në publik e Gerti Bogdanit, ja analiza që bëri për situatën në Kosovë
Pak orë para se Gerti Bogdani të ndahej nga jeta në mënyrë të papritur, ai ka qenë i ftuar në një emision ku ka analizuar situatën mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe situatën politike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ish-deputeti i PD u nda nga jeta mesditën e kësaj të mërkure (18 shtator), ndërsa i ftuar në emision ishte mbrëmjen e 17 shtatorit.
“Ka një vit nga sulmi i Banjskës dhe Radoiçiç që është faktor që është fajtor nuk dorëzohet dhe nuk ekstradohet. Pra është kusht normal për të ekstraduar. Nga ana tjetër ka gjithmonë një rrugë të mesme. Po ti marrësh pikat me radhë, zgjedhje thotë Vucic në veri përsëri. Por nuk bëhen me fishkëllimë. Tentoi Kurti ti bëjë zgjedhjet, tentoi edhe referendumin dhe serbet e bojkotuan. Pra nuk mund të bësh zgjedhje në veri të Kosovës sa herë ti teket Vuçiç. Rikthimi në polici dhe në gjyqësor? Mund të bëjë një hap të mesme. Ligji në shtetin e Kosovës nuk e lejon kthimin në polici në momentin që ke dhënë dorëheqjen. Në gjykatë dhe prokurori i shqyrton Këshilli i Lartë i Gjyqësorit dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, sepse nuk janë formalizuar dorëheqjet. Për të treguar një farë konsensusi në sytë e perëndimit, mund të thotë shteti im nuk ma lejon që ti rikthej në polici, por janë të hapur të kandidojnë kur të hapen konkurset përsëri. Për gjyqësorin dhe për prokurorinë le të bëjnë kërkesa dhe do shqyrtohet. Kjo e Vuçiç është vetëm lojë imazhi”, tha ndër të tjera Gerti Bogdani.
Kujtojmë që ish-deputeti i PD-së u nda papritur nga jeta mesditën e sotme (18 shtator) dhe dyshohet për shkak të një arresti kardiak.
Bogdani po pinte kafe me miqtë e tij në një hotel në Tiranë kur ka shfaqur probleme shëndetësore. Ai u ka thënë se kishte vështirësi me frymëmarrjen dhe është larguar për në tualet.
Por, sipas burimeve për Panorama.al, kur Gerti Bogdani nuk është kthyer në tavolinë, miqtë e tij janë shqetësuar dhe kanë shkuar në tualet. Ata kanë hapur derën me forcë dhe e kanë gjetur të shtrirë në tokë pa ndjenja.
Më pas, është njoftuar ambulanca dhe ish-deputeti u dërgua në spitalin e QSUT ku mori ndihmën mjekësore, por nuk arriti që të mbijetojë.