Connect with us

Kosova

Abdixhiku kujton dëshmorin Afrim Bunjaku: Model për brezat se si mbrohet atdheu

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka kujtuar rreshterin Afrim Bunjaku i cil një vit më parë ra heroikisht në sulmin terrorist të Banjskës.

“Sot, më 24 shtator është bërë viti që nga rënia në krye të detyrës, në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit të Kosovës, e policit-hero, Afrim Bunjaku”, ka shkruar Abdixhiku, sipas faqes së LDK-së në Facebook.

“Ai u vra nga pjesëtarë të një grupi terrorist të sponzoruar dhe komanduar nga Serbia, gjersa po ushtronte profesionin dhe punën fisnike prej polici në mbrojtjen e rendit dhe mirëqenies për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”.

Abdixhiku e quajti Bunjakun model për brezat se si duhet mbrojtur atdheu edhe në paqe.

“Afrim Bunjaku është Heroi i cili sakrifikoi jetën e tij për shtetin e Kosovës. Shembulli i tij është model dhe motiv për brezat se si mbrohet e si duhet shërbyer atdheut edhe në kohë paqeje”.

“Vrasja e heroit Bunjaku ishte goditje e rëndë jo vetëm për familjen dhe kolegët policë, por edhe për shtetin e Kosovës. Prandaj dënimi i terroristëve si dhe mbajtja përgjegjës e Serbisë si organizator i agresionit ndaj Republikës janë detyrime tona si shtet e si shoqëri”.

“Afrim Bunjaku mbetet përherë në kujtesën shtetërore si personalitet që dha frymën e fundit për territorin e Republikës së Kosovës”.

“I përjetshëm kujtimi e nderimi për Afrim Bunjakun. Lavdi e përjetshme!”

Advertisement